
Edhe ai është i mbyllur në karantinë, por mesa duket kohën e kalon me kujtime. Emanuel Egbo, trajneri i Tiranës, padyshim që komunikon me lojtarët e tij në distancë, por gjen edhe kohë për të krijuar një video-kolazh me ndeshjet e tij në stolin bardheblu. Padyshim, ka se çfarë të tregojë. Që pas emërimit si drejtues i përkohshëm në fillim të muajit dhjetor të vitit të kaluar, nigeriani ka arritur 11 fitore e 1 barazim në Superligë, me Tiranën që nga mesi i renditjes u ngjit në krye të tabelës.
Me 53 pikë në 26 javë, bardheblutë janë pranë titullit, ndonëse kampionati u ndërpre për shkak të koronavirusit. Ende me shpresë se Superliga do të rifillojë, ashtu siç janë edhe planet e UEFA-s e Federatës Shqiptare të Futbollit, ai ka ndarë me ndjekësit e tij disa nga momentet më t bukura.
