Në muajin Mars të këtij viti në emisionin “Stop” është publikuar rasti i një vajze nga Kukësi, e cila në Shtator të vitit të shkuar ka konkurruar për t’u bërë pjesë e Akademisë së Sigurisë në Tiranë.
Ajo fitoi të trija fazat e konkurrimit, madje duke dalë e para në renditje, por nuk u lajmërua si fituese nga Drejtoria Vendore e Policisë së Kukësit.
“Në të tri fazat kam dalë shumë mirë, me rezultate shumë të mira. Kjo është konfirmuar edhe nga drejtori i policisë që unë jam fituese, e vetmja dhe e para në Qarkun e Kukësit. Kur erdhi momenti që të lajmërohen konkurrentët për vazhdimin e shkollës, unë nuk jam lajmëruar. Nuk e di për çfarë arsyeje, nuk e di se kush mund ta ketë blerë vendin tim.
Këtu kështu funksion, dikush mund të ketë dhënë lekë dhe janë detyruar të marrin atë dhe të më heqin mua që i kam marrë të gjitha provimet me forcat e mia, pa asnjë ndërhyrje. Kjo është arsyeja pse iu drejtova Stop-it. Duke parë që askush nuk po më jep përgjigje, zgjidhje, mendova që më mirë t’ju drejtohem ju pasi keni zgjidhur shumë probleme. Doja ta bëja publike këtë rast pasi nuk është fare e drejtë”, ka qenë kjo dëshmia e denoncueses.
Një ditë pas transmetimit në “Stop” vajzës denoncuese i shkon shkresa, se ajo nuk plotëson kriterin e besueshmërisë, por sërish nuk i janë dhënë shpjegime pse ajo nuk është e besueshme për të qenë pjesë e Policisë së Shtetit.
Lidhur me këtë emisionin “Stop” iu drejtua me shkresë zyrtare te institucioneve, Ministrisë së Brendshme, Policisë së Shtetit dhe Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat.
Nga këto institucione, vetëm dy kthyen përgjigje dhe thuhet se skualifikimi është bërë për shkak të nenit 139 të rregullores, që do të thotë se nuk është pranuar se dyshohet se ajo ose familjarët e saj mund të kenë probleme me ligjin.
Emisioni “Stop” lidhur me këtë rast ka pyetur, Erzen Breçanin, ish-zyrtar i Policisë së Shtetit, i cili shprehet se policia mund të bëjë verifikime në fillim dhe pastaj kandidatët të futen në konkurrim, për shmangur situata të tilla.
“Për mendimin tim procedurat e testimit duhet të jenë me format tjetër. Në fillim duhet të bërë verifikimi i figurës së aplikantit, dhe jo të vazhdojë testimin me shkrim dhe me gojë dhe në fund të thuhet që nuk je e besueshme. Në fillim duhet të jetë verifikimi dhe kontrollimi mjekësor dhe më pas të gjithë të tjerat“, shprehet Breçani.