Një shembje e vërtetë emotive. Simone Biles, gjimnastja amerikane e konsideruar më e mira e të gjitha kohëve, nuk kërkon justifikime e as nuk fshihet pas dëmtimit të mundshëm: tërheqja e saj e bujshme nga gara ekipore e gjimnastikës artistike (i kushtoi ekipit amerikan medaljen e artë, vetëm argjendi në fund) është për shkak të stresit: “Unë duhet të përqendrohem në gjendjen time mendore dhe të mos rrezikojë shëndetin dhe mirëqenien time”.
Një rrëfim i hapur, i denjë për një kampione të jashtëzakonshme që bëri historinë e gjimnastikës artistike botërore. “Nuk kam më besim te vetja si më parë – shpjegoi 24-vjeçarja amerikane, katër herë medalje e artë në Rio 2016 dhe gjimnastja e parë në histori që ka fituar pesë tituj botërorë në konkursin individual – nuk e di nëse është një cështje moshe. Jam pak më nervoze tani kur futem në pedanë”. Biles shtoi: “Ndjehem sikur nuk po kënaqem si më parë. Unë e di se këto janë Lojërat, doja t’i luaja ato – thotë ajo ndërsa nuk mundet t’i mbajë lotët – por në të vërtetë po marr pjesë për të tjerët, më shumë sesa për veten time. Thellë brenda meje ndihem keq që më është hequr ajo që dua të bëj. Sapo hipi në pedanë jam vetëm unë dhe koka ime… dhe aty ka demonë me të cilët duhet të përballem”.
Mbetet dyshimi nëse Simone mund t’a rimarrë veten për konkursin individual, por pas këtij rrëfimi dramatik është e ligjshme të ushqehen dyshime. E në këtë pikë merr një peshë krejt tjetër ajo që shkruajti kampionia në faqen e saj në Instagram vetëm dy ditë më parë: “Ndonjëherë e ndiej tërë peshën e botës mbi supe”. Sot Simone e hoqi.