Bum vizitorësh në Kalanë e Shkodrës: Janar-Nëntor 92,327 turistë

0
Janar-nëntor , 92. 327 vizitorë në Kalanë e Shkodrës

Kalanë e Shkodrës gjatë periudhës janar-nëntor të këtij viti e vizituan 92,327 vizitorë. Kjo bëhet me dije nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër, që shkruan se vizitat turistike kanë vijuar me ecuri pozitive. “Kalaja Rozafa, rritet numri i turistëve. Vizitat turistike  në kalanë Rozafa kanë vijuar me ecurinë pozitive në prag të sezonit turistik, duke reflektuar rritje të numrit të vizitorëve vendas dhe të huaj. 92,327 mijë vizitorë gjatë periudhës janar-nëntor 2022 ose +43,773 vizitorë më shumë se gjatë të njëjtës periudhë të 2021”, shkruan DRTK Shkodër në Facebook.

Kalaja e Shkodrës që mban emrin Rozafa është një monument mijëvjeçar i ngritur mbi një kodër shkëmbore në hyrje të qytetit të Shkodrës, në jug-lindje të tij. Qëndron mbi një kodër shkëmbore 130 metra mbi nivelin e detit, e rrethuar nga lumi Buna e Drin, me një sipërfaqe prej gati 9 hektarësh. Kalaja përbën një simbol të qytetit, e pranishme ndër piktura, gdhendje, etj. Hyrjen kryesore kalaja e ka nga veri-lindja, sipërfaqja e brendshme ndahet nga muret e tre oborreve, me porta mes tyre. Oborret vijnë duke u ngritur njëri pas tjetrit, i treti është në pjesën e lartë të kodrës. Muret dalëse kanë të dalura drejtkëndore që zëvendësojnë kullat, ndërsa në murin e jashtëm kullat janë më të dendura. Brenda kalasë ka disa ambiente që lidhen me një kullë cilindrike, një depo si dhe një godinë trekatëshe të kohëve venedikase, quajtur Kapiteneria. Oborri i dytë në pjesën qendrore ka katër depozita për grumbullim uji, katërkëndëshe të mbuluara me qemerë, prej ku merrej uji përmes grykave të puseve rrethore. Aty është depoja, burgu si dhe Xhamia e Fatihut. Oborri komunikon me hyrjen kryesore të kalasë, para së cilës në vitet 1407-1416, u ndërtua një oborr i fortifikuar, një sistem paramuresh me kthesa të mprehta që zënë pjesën lindore të kalasë.

Artikulli i mëparshëmSamiti i BE-së në Tiranë/ Gazetari zbulon cilat janë dy rrugët ku nuk mund të kalojë askush më 6 dhjetor
Artikulli i radhësSamiti pezullon të gjithë lëvizjen e urbanëve në Tiranë