SPAK ka njoftuar, se ka mbyllur hetimet dhe e ka bërë gati për ta çuar në gjykatë, koncesionin “Laboratorët Mjekësorë”, të kallëzuar nga KLSH si aferë korruptive, duke kaluar shërbimin shtetëror te firma private “Pegasus Sh.p.k”, kundrejt vlerës 114 milionë Euro për 10 vite.
Është detyrim ligjor i Kryetarit të SPAK, Altin Dumani, që para se dosja të dorëzohet në gjykatë, të verifikojë faktin se përse nuk është përfshirë në hetim përfituesi i këtij koncesioni Janis Karathano, i cili është personazhi kryesor i aferës së PPP-Laboratorëve Mjekësor.
Në raportin e KLSH, Janis Karathano rezulton si mashtruesi që ka përdorur dokumente shtetërore private e preventivë fals, për të marrë koncesionin, duke bashkëpunuar me titullarët dhe zyrtarët e autorizuar të Ministrisë së Shëndetësisë.
Por falsifikimet e Karathanos janë lënë jashtë lëndës hetimore, me makinacione të prokurorëve të SPAK, të cilët nuk e kanë përfshirë si bashkë- autor në aferën e Laboratorëve mjekësorë.
Ndoshta prokurorët e dosjes kanë përdorur “standarde” të tjera jo ligjore, që e kanë lënë jashtë hetimit, por Kodi Penal ka vetëm një standard: Hetohet kushdo që ka marrë pjesë në krim.
Në aferën e laboratorëve, mafiozi Janis Karathano i firmës “Pegasus Sh.p.k”, ka marrë pjesë si falsifikator dokumentesh e përfitues i 114 milionë Euro, i skeduar nga KLSH si pjesë grupit të kallëzuar penalisht, por SPAK nuk e ka marrë as në pyetje.
Për gjykim do çohen Raimond Cimbi, ish-kryetar i tenderit, 6 anëtarët e komisionit e 3 zyrtarë të Ministrisë që kanë firmosur shkresat rutinë të koncesionit, ndërsa bosi Janis Karathano po shijon 114 milionë Euro e vazhdon përlanë edhe nga 15 milionë Euro tenderë mjekësor çdo vit.
Vërtetë është e përcaktuar në ligj, që Kryetari i SPAK nuk mund të diktojë tek prokurorët e çështjes hetimore, por detyra si “administrator” i veprimtarisë së institucionit, i jep të drejtën të monitorojë, verifikojë e urdhërojë rihetimin e çështjeve, madje të hetojë prokurorët abuzues.
I kujtojmë kryetarit Altin Dumani, se përveç falsifikatorit Janis Karathano, jashtë dosjes hetimore të koncesionit të laboratorëve, prokurorët kanë lënë dhe 3 titullarët e Ministrisë së Shëndetësisë, konktretisht Ilir Beqja, Ogerta Manastirliu e Arjan Kraja; të cilët në bashkëveprim me Janis Karathano, kanë sajuar dhe miratuar fondin e PPP-së 114 milionë Euro, ose 4 herë më të lartë se kostoja reale.