Armatoset Kosova! Albin Kurtit, blen raketa Javelin nga SHBA

0

Kërkesa e Kosovës për të blerë raketa Javelin është pranuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ka kaluar në Kongres për të marrë miratimin. Lajmi u njoftua fillimisht nga presidenca e Serbisë, pas një takimi të presidentit serb Aleksandër Vuçiç me ambasadorin e SHBA-së në Serbi, Christopher Hill.

Më pas, lajmi u konfirmua edhe nga Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, që tha se qeveria e Kosovës ka marrëveshje bashkëpunimi me SHBA-në për blerje direkte përmes programit të Shitjeve Ushtarake të Jashtme.

“Si pjesë e këtij programi parashikohen blerje ushtarake, përfshirë sistemin raketor antitank ‘Javelin’, por edhe sisteme të tjera armatimi. Në sistemin ‘Javelin’ kërkesa është dërguar dhe është marrë nga SHBA. Tashmë është konfirmuar se kërkesa do të kalojë në Kongres nga Departamenti i Shtetit për miratim përfundimtar,” tha Maqedonci për mediat.

Në fund të vitit që shkoi, Kosova vendosi t’i shtojë 40 milionë euro buxhetit të mbrojtjes, duke e çuar atë në më shumë se 200 milionë euro.

Sistemi i raketave luftarake Javelin është një sistem raketash taktik i lëvizshëm nga njeriu, me rreze të mesme veprimi që i siguron Ushtrisë Amerikane dhe Trupave Detare efekte precize të zjarrit të drejtpërdrejtë për të mposhtur tanket kryesore të betejës dhe automjetet e tjera të blinduara.

Raketa ka aftësi të arrijë shpejtësinë deri në 150 metra në sekondë (540 km/h) pasi të lëshohet. Një raketë Javelin kushton rreth 180 mijë dollarë.

Vitin e kaluar kryeministri Albin Kurti publikoi foto ku shfaqej përballë një droni turk Bayraktar, të cilin ai tha se Kosova e kishte blerë nga Turqia.

Blerja e raketave Javelin nga Kosova nuk është parë me sy të mirë nga Serbia. Presidenti Vuçiç e quajti zhgënjim të madh lajmin për kërkesën e Kosovës për blerjen e raketave, duke shtuar se Serbia, së bashku me SHBA-në, do të punojnë në ruajtjen e raporteve serbo-amerikane.

Vuçiç “tha se ky informacion është një zhgënjim i madh për Serbinë, por se vendi ynë, së bashku me SHBA-në, do të punojnë për ruajtjen e marrëdhënieve serbo-amerikane”.

Qëndrimet e Albin Kurtit ndaj amerikanëve kanë qenë gjithnjë në qendër të diskutimeve dhe të debatit publik, për shkak se ai ka refuzuar t’i bindet në rastet kur ka menduar se vendimet nuk janë në interes të Kosovës. Në vitin 2020, amerikanët mbështetën rrëzimin e qeverisë Kurti pas 50 ditëve në detyrë. Shkak u bë prishja e koalicionit me LDK, pas një krisjeje të sponsorizuar në prapaskenë nga ambasada amerikane.

Në disa raste, kur kritikohet se ka dëmtuar marrëdhëniet e Kosovës me SHBA, ai ka ironizuar duke thënë: “Sa herë që zyrtarëve të korruptuar u cënohen interesat korruptive, ata nisin të thërrasin “Amelika! Amelika!”.

Sipas Kurtit, qëllimi i Kosovës duhet të jetë ndërtimi i një raporti partneriteti dinjitoz me SHBA-në dhe jo raporti i një vasali të rëndomtë në thelb të të cilit qëndron “ankthi i braktisjes”.

“Prej përvojës, duke fol kështu me njerëz nuk mendoj që shqiptarët i duan amerikanët, as Amerikën. Mendoj që shqiptarët më shumë kanë një ankth të mundësisë së braktisjes nga Amerika. Mendo një fëmijë në plazh që është 3 vjeç dhe shkoi nëna me atë shoqen. A e di, kur humb në plazh fëmija?! Dhe fëmija kur humb në plazh nuk mendon që ka humbur ai, por mendon që e ka lënë nëna. Ankthi i braktisjes. Këta njerëz e kanë hallin, mos po na lë ne Amerika. Nuk është se e duan. Nuk është dashuri” dëgjohet të thotë Kurti në një filmim të publikuar shumë kohë më parë, kur ishte në opozitë.

Artikulli i mëparshëmMbikqyrja e bursës i jep dritën e gjelbër ETF-Bitcoins/ Analiza e DW: Lehtësohet tregtimi i monedhës digjitale, por a do të rritet çmimi?
Artikulli i radhësSPAK jep pretencën për Safet Gjicin/ 4 vite e 6 muaj burg ish-kryebashkiakut të Kukësit