Arrestohet ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj

0

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i cili është nën hetim nga SPAK për koncesionin e Sterilizimit dhe abuzimet me fondet e SASPAC, është arrestuar!

Përveç koncesionit të sterilizimit, Ilir Beqaj është nën hetim pasuror nga SPAK lidhur me abuzimet me fondet e SASPAC (Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës), e cila drejtohej nga Beqja deri në momentin që ky i fundit u detyrua të japë dorëheqje pasi GJKKO caktoi dy masa sigurie ndaj tij: detyrim paraqitje dhe ndalim të udhëtimeve jashtë vendit.

Kujtojmë se prej datës 28 dhjetor 2023), me urdhër të SPAK, Byroja Kombëtare e Hetimit ka ushtruar kontrolle edhe në “Delta Pharma” dhe farmaci të tjera kryesisht në Tiranë.Kontrollet kanë ardhur pasi ndaj Beqajt po zhvillohet një hetim i ri për për lidhjet që ish-ministri ka pasur ose ka me këto kompani, dhe mënyrën sesi janë lidhur kontrata kur ky i fundit ka qenë në krye të Ministrisë së Shëndetësisë.

Po ashtu mësohet se gjatë periudhës kur mori këtë detyrë, Beqaj ka miratuar një ligj që favorizonte kompanitë farmaceutike.

Hetimet për këto kompani kanë nisur pas indicieve që SPAK ka marrë lidhur me shkeljet e pretenduara, kur ky institucion drejtohej nga Beqaj. Theksohet se ky është një hetim i ri, i cili nuk lidhet me hetimet e mëparshme për Ilir Beqajn.

Nga kontrollet e ushtruara në “Delta Pharma” dhe farmaci të tjera, janë sekuestruar dokumente që i shërbejnë hetimit, e po ashtu kompjuterë, bilancet, furnizime dhe telefona.

Ndërkohë, rezulton se gruaja e Beqajt, Adriana Beqaj, ka qenë aksionere në një kompani që lidhet me ‘Delta Pharma’.

Hetimet për sterilizimin

Prokuroria e Posaçme përfundoi hetimet për koncesionin sterilizimit dhe dërgoi më 30 mars në Gjykatën e Posaçme dosjen për ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ish-zëvendësin e tij Klodian Rjepaj, biznesmeni që fitoi tenderin, Ilir Rrapaj, si edhe 6 të pandehurit e tjerë.

Sipas hetimeve të SPAK, ish-zv.ministri i Shëndetësisë, Klodian Rjepaj, në cilësinë e Kryetarit të Komisionit të Dhënies së Koncensionit, ka kryer të gjitha veprimet e përllogaritjeve financiare dhe i ka ndryshuar disa herë me qëllim arritjen e treguesve financiarë IRR dhe NPV, në nivele të pranuara nga Ministria e Financave.

Nga hetimet ka rezultuar se numri i ndërhyrjeve kirurgjikale është raportuar i rremë në dokumente që janë paraqitur Ministrisë së Financave, njofton Prokuroria e Posaçme.

Gjithashtu në këta tregues financiar Klodian Rjepaj, me qëllim uljen e normës së IRR dhe NPV, ka shtuar si zëra të kostove të shërbimit në kohëzgjatjen e koncensionit, mirëmbajtje të instrumenteve, të sistemeve dhe centralit të sterilizimit, në vlera disa herë më të larta se vlera e blerjes së tyre të reja.

Gjithashtu në Krahasuesin e Sektorit Publik, si treguesi kryesor për dhënien e këtij projekti me Koncension/Partneritet Publik Privat, janë përdorur kosto të rreme të këtij shërbimi në QSUT për vitin 2013, duke vendosur vlerat e barnave dhe medikamenteve mjekësore, që nuk janë pjesë e këtij shërbimi. Kjo kosto është rritur dhe mbivlerësuar në mënyrë të rreme në masën 56.4%.

Sipas SPAK, gjatë gjithë periudhës përgatitore të projektit, procedurën e tenderimit dhe dhënies së koncensionit deri në firmosjen e kontratës koncensionare, Klodian Rjepaj ka bashkëpunuar ngushtësisht Ilir Rrapaj, me qëllim shpalljen fitues të operatorëve ekonomikë, ku pjesëmarrës është me 40% subjekti tregtar “Investital Llc”, me përfaqësues biznesmenin.

Rjepaj, në cilësinë e Kryetarit të Komisionit të Dhënies së Koncensionit, si personi i cili ka bërë pasqyrat financiare dhe studimin e fizibilitetit, në bashkëpunim me anëtarët e tjerë të komisionit Marsela Serjani, Petro Mersini, Arben Gjata, Saimir Kadiu, Genc Burazeri dhe Naile Ajazi, akuzohet se kanë ligjësuar këta dokumente me të dhëna të pavërteta. 

Ndërsa ish-ministri Ilir Beqaj akuzohet se për veprimet ose mosveprimet që kanë të bëjnë me miratimin dhe nënshkrimin e kësaj kontrate koncensionare, duke i miratuar ato në kundërshtim me rregullat dhe aktet ligjore e nënligjore të zbatueshme për konçesionet, rezulton e provuar plotësisht ka konsumuar elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të  detyrës”, e kryer në bashkëpunim, me Klodjan Rjepajn.

Njoftimi i SPAK:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, ka përfunduar hetimet paraprake dhe ka paraqitur para Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, kërkesën për gjykim të procedimit penal nr.13, të vitit 2020, në ngarkim të të pandehurve:

1.     Ilir Beqaj, i akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, e kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 248 – 25, të Kodit Penal;

2.    Klodian Rjepaj,i akuzuar për kryerjen e veprave penale të “Mashtrimit”, e kryer në bashkëpunim, me pasoja të rënda, “Falsifikimit të  dokumentave”, e kryer në bashkëpunim, “Shpërdorimit të detyrës”, e kryer në bashkëpunim, të parashikuara nga nenet 143/2, 3, 186/3-25 dhe 248-25, të Kodit Penal.

Artikulli i mëparshëmGjykata Kushtetuese: Pse e rrëzuam pjesërisht ligjin, profesionistëve nuk iu la kohë të përshtateshin me skemën e re
Artikulli i radhësFormer Health Minister Ilir Beqaj arrested for misuse of EU funds