Gjykata e Durrësit ka lënë të lirë sot 48-vjeçarin Bledar Rako, babain e akuzuar për abuzim seksual me të bijën e mitur.
Që nga 21 maji i këtij viti, ai ndodhej në gjendjen e arrestit në burg, ndërsa e bija që e denoncoi për abuzim seksual dhe e shoqja, pas vendimit të gjykatës që caktoi arrest në burg për të, kërkuan lirimin nga paraburgimi dhe nga akuza e rëndë ndaj Rakos. Ky i fundit qëndronte në burgun e Peqinit në pritje të përfundimit të hetimeve të nisura ndaj tij.
Avokati i të akuzuarit, Ilia Ilia, pati kërkuar zëvendësim të masës së sigurisë, duke iu drejtuar më parë prokurores së çështjes me kërkesën për të disponuar aktin e ekspertimit mjeko-ligjor që provonte se vajza 15-vjeçare e të arrestuarit ishte e padefloruar, si një akt që provonte ekzistencën ose jo të faktit penal për të cilin akuzohej babai.
Pa mundur ta zotërojë këtë akt, mbrojtja iu drejtua gjykatës për zëvendësim të masës së sigurisë. Gjyqtarja Shpëtime Pitaku shtyu seancën e 9 korrikut, duke kërkuar nga organi i akuzës të paraqesë këtë akt dhe më pas të shqyrtojë pretendimet e palëve.
Pasdrekën e kësaj të mërkure, prokurorja Oltiana Çifligu paraqiti aktin në seancën gjyqësore, ndërsa kërkoi lënien e Rakos në masën e sigurisë “arrest në burg” pasi do të ripyetet viktima, e mitura. Pasi dëgjoi palët, gjyqtarja zëvendësoi masën e mëparshme me masën “detyrim paraqitjeje”, duke urdhëruar lirimin e babait të katër fëmijëve nga paraburgimi, ndërsa hetimet për rastin do të vijojnë.
Ngjarja që tronditi opinionin publik nisi kur e mitura i rrëfeu psikologes së shkollës 9-vjeçare që frekuentonte se është dhunuar seksualisht nga babai i saj kur ka qenë në fillore, si dhe dy ditë para kallëzimit, me përdorim të dhunës fizike prej këtij të fundit.
Menjëherë psikologja dhe drejtuesit e shkollës ndoqën protokollin për këto raste, ndërsa i akuzuari, babai i saj, e mohoi këtë duke deklaruar se ishte një sajesë e së bijës për shkak se ishte konfliktuar me të disa ditë para denoncimit të saj dhe i kishte hequr telefonin celular si masë ndëshkimi për komunikim të papërshtatshëm dhe rënien në mësime.
Gjatë gjatë marrjes në pyetje 15-vjeçarja ka deklaruar:
“Ishte sajesë e momentit, nuk e dija që do të vinte puna deri këtu, por nga acarimet dhe gjithë situata. Më mori telefonin dhe nuk më len të dal me shoqet. Ishin të gjitha. Kisha tre javë që kërkoja leje për të dalë me shoqet dhe më thanë jo. Unë u acarova. Nuk më linin asnjëherë.”
Ajo do të ripyetet sërish në ditët në vazhdim në funksion të hetimit, ndërsa e ëma, Fatbardha, thotë se “telefonat po i luajnë mendsh fëmijët”. Ishte ajo që, duke parë vajzën e shqetësuar dhe tejet të rënduar pas marrjes së telefonit nga i ati, t’i kërkonte të fliste me psikologen në shkollë për t’u ndjerë më mirë.
Në dëshminë e saj, nëna e 4 fëmijëve ka deklaruar:
“Goca nuk ishte mirë prej ditësh për telefonin, se kjo nuk kap mësime me dorë. Është në klasë të 9-të dhe i ati i mori telefonin dhe e futi në kasafortë. Ai sa herë vinte në shtëpi e gjente me telefon në dore. I fliste por nuk dëgjonte. Ai ia mori telefonin. Një ditë e pashë. Ishte një emër goce dhe përdornin fjalë banale, pastaj kur erdhi policia. Të hënën më mori psikologja e shkollës në telefon dhe më kërkoi të shkoj në shkollë. U bëra keq dhe i thashë se mos është mërzit për telefonin. Asaj dhe mësueses i thashë të shkoja në shtëpi dhe t’i ballafaqoja të dy, se unë e dalloj burrin tim me një shikim. Në atë kohë donin të ma merrnin gocën, por nuk e lashë. Erdhi policia dhe u thashë: Mos u ngutni, por nuk më lanë të flisja.”
Pas procedurave të lirimit, Bledar Rako do të bashkohet me familjen, gruan dhe katër fëmijët e tij, por ngjarja dhe gjithçka kaluan nuk do të kalojë kaq shpejt për ta. Sipas prokurorisë, pavarësisht tërheqjes së të miturës nga akuza për abuzim dhe mohimit të babait dhe nënës së vajzës, hetimet për rastin e Golemit do të vazhdojnë.