Sipas vendimit të Kolegjit Zgjedhor, afati i fundit për regjistrimin zyrtar të kandidatëve nga partitë politike në KQZ për zgjedhjet e Bashkisë së Himarës është caktuar më 22 korrik.
Në një dokument zyrtar të siguruar nga gazetarja e Vizion Plus, Enkelejda Mema, është bërë e ditur se fushata zgjedhore do të nisë zyrtarisht më 27 korrik.
“Në dokument, specifikohet që partitë duhet të bëjnë kërkesë në KQZ për regjistrim deri më 22 korrik ora 16:00. Koalicionet kanë afat për t’u regjistruar në KQZ deri më 24 korrik ora 12:00. Fushata zgjedhore për zgjedhjet në Himarë fillon më 27 korrik. Dokumentet e kandidimit duhet të paraqiten në KZAZ për verifikim deri më 25 korrik”, thuhet në njoftim.
Zgjedhjet në Himarë do të zhvillohen më 4 gusht. Partia Socialiste ka konfirmuar kandidaturën e Vangjel Tavos, ndërsa Partia Demokratike zyrtare do të përfaqësohet nga Petro Gjikuria.