Fredi Beleri kthehet në burg: “E Respektoj drejtësinë edhe pse ajo nuk e respekton veten!”

0

Eurodeputeti Fredi Beleri u kthye në Shqipëri paraditen e sotme për të vazhduar dënimin e tij në burgun e Fierit. Ai mbërriti në aeroportin e Rinasit dhe respektoi afatet e vendosura nga Drejtoria e Burgjeve, duke u paraqitur brenda orës 16:00 të datës 20 korrik 2024.

Në një deklaratë për mediat, Beleri foli për pesë ditët e tij në liri dhe udhëtimin në Strasburg si eurodeputet. Ai i cilësoi këto ditë si normale dhe shprehu mirënjohje ndaj atyre që e votuan, duke theksuar përgjegjësinë e madhe që ndjen për detyrën e tij të re.

Sa i përket kthimit në burg, ai tha: “Nuk më vjen fare keq, unë e respektoj drejtësinë edhe pse drejtësia nuk respekton veten e vet. Jam krenar dhe mirënjohës për ata që më votuan dhe ndjej një përgjegjësi të madhe për detyrën e re.”

Kur u pyet për kandidatin e ri të opozitës në Himarë, Petro Gjikurina, Beleri u shpreh optimist: “Sigurisht që mund t’i fitojë! Opozita ka zgjedhur një kandidat që besoj se është edhe më i përshtatshëm se unë. Qytetarët e Himarës duhet të përfundojnë atë që filluan më 14 maj 2023. Jam i bindur për fitoren!”

Gjatë lejes shpërblyese të marrë nga Institucioni i Ekzekutimeve të Vendimeve Penale në Fier, Beleri qëndroi në shtëpinë e tij në Himarë ose në adresën e caktuar në Strasburg të Francës, ku mori pjesë në seancat e para të Parlamentit Europian si eurodeputet i partisë greke Nea Demokratia.

Artikulli i mëparshëmVetëvritet Olsi Ibro/ Pronari i Micro Credit Albania
Artikulli i radhësMashtrimi me mikrokreditë/ A do ta vulosë sagën e MCA vetëvrasja e Olsi Ibro-s?