Policia njofton bllokime të shumta të rrugëve në Tiranë për protestën e opozitës

0

Ditën e hënë, në orën 18:00, do të zhvillohet protesta kombëtare e thirrur nga Partia Demokratike dhe opozita shqiptare. Ndërsa opozita bën thirrje për pjesëmarrje masive, Policia e Shtetit ka deklaruar në një komunikatë për mediat se janë marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e protestës. Disa rrugë kryesore të Tiranës do të mbyllen për automjetet, ndërkohë që qarkullimi për këmbësorët do të mbetet i lirë.

Sipas njoftimit zyrtar, bllokimi i rrugëve për automjetet do të fillojë në orën 18:00 dhe do të zgjasë deri në përfundimin e protestës. Rrugët kryesore që do të preken nga këto masa janë bulevardi ‘Dëshmorët e Kombit’, nga Ministria e Brendshme deri në sheshin ‘Nënë Tereza’, si dhe rrugët ‘Ukraina e Lirë’, ‘Papa Gjon Pali II’, dhe ‘Ismail Qemali’.

Policia gjithashtu ka njoftuar se, nëse është e nevojshme, do të bllokohen edhe disa segmente të tjera rrugore për të siguruar zhvillimin normal të protestës.

Lista e rrugëve të tjera që mund të mbyllen për qarkullimin e automjeteve përfshin:

Segmenti nga Kafe ‘Europa’ deri te 9-katëshet, ‘Ushtari i panjohur’

Shkolla “1 Maji” deri te ura e ATSH-së, në rrugën e Elbasanit

Segmenti nga Liceu Artistik deri te Fakulteti i Gjuhëve të Huaja

Sheshi “Skënderbej”, përfshirë Bashkinë e Tiranës dhe Pallatin e Kulturës

Kryqëzimi i Librit Universitar

Segmenti nga 21-Dhjetori deri te shkolla ‘Sabaudin Gabrani’

Kryqëzimet kryesore në zonën e ish-Bllokut, rrugët ‘Ibrahim Rugova’ dhe ‘Ismail Qemali’

Rrethrrotullimi ‘Zogu i Zi’ dhe kryqëzimi te ish-stacioni i trenit

Kryqëzimi i urës së Taiëanit

Kryqëzimi i rrugës së Kavajës me hyrjen në sheshin ‘Skënderbej’

Kryqëzimi pranë ish-hotelit ‘Dajti’ dhe ai te 9-katëshet me Rrugën e Barrikadave

Rruga ‘Dritan Hoxha’, pranë ‘Kupola’ dhe kryqëzimi te ‘Pallati me Shigjeta’.


Policia e Shtetit u bën thirrje drejtuesve të automjeteve të zgjedhin rrugë alternative për të shmangur pengesat në qarkullim dhe për të lejuar lëvizjen e lirë të qytetarëve që do të marrin pjesë në protestë.

Artikulli i mëparshëmLamtumirë Sefedin Braho, legjenda që la gjurmë të pashlyeshme në futbollin shqiptar!
Artikulli i radhës“Projekti i Jared Kushner dhe Ivanka Trump në Shqipëri: investim 1 miliard dollarësh për ishullin e Sazanit”