Ndërsa opozita dhe shoqëria civile protestojnë para bashkisë së Tiranës, brenda saj po ndodhin lëvizje të mëdha. Kryetari Erion Veliaj ka ndërmarrë një vendim të papritur për të larguar pothuajse të gjithë drejtorët e institucioneve që janë nën varësinë e bashkisë. Shkarkimet kanë përfshirë drejtues të institucioneve kyçe, përfshirë Ujësjellës-Kanalizimet e Tiranës, Policinë Bashkiake, Agjencinë për Mbrojtjen e Konsumatorit, Tirana Parking, Kopshtin Zoologjik dhe Qytetin Studenti. Ndryshimet nuk kanë kursyer as disa nga qendrat sociale dhe muzetë në varësi të bashkisë.
Arsyet për këtë valë shkarkimesh mbeten ende të paqarta, por ky vendim vjen në një periudhë kur figura të larta të bashkisë së Tiranës janë përfolur për abuzime me paratë publike. Më famëkeqi prej këtyre skandaleve ka qenë ai që njihet si “Skema 5D”, që kishte në epiqendër një kompani të ngritur nga disa drejtorë të bashkisë për të fituar tendera publikë në mënyrë të padrejtë. Për këtë aferë, disa ish-drejtorë janë tashmë pas hekurave, duke përfshirë Mariglen Qato, Redi Molla dhe Taulant Tushe, ndërsa gjashtë zyrtarë të tjerë janë lënë në arrest shtëpie.
Ky spastrime masive duket se është një përpjekje për të shkundur administratën e bashkisë nga emra që mund të kenë qenë të përfshirë në skandale apo për t’i dhënë bashkisë një pamje të re. Megjithatë, pyetja që shtrohet mbetet: A është ky një hap drejt një administrate më transparente dhe të ndershme, apo thjesht një shfaqje për të larguar vëmendjen nga akuzat që rëndojnë mbi institucionin?
FAQJA KRYESORE VENDI DHE RAJONI Veliaj spastron drejtuesit e bashkisë: Largohen figurat kryesore të institucioneve në varësi