Paketa e veçantë turistike e Sarandës për këtë sezon/ Çmime të ulëta, plazhe falas dhe siguri të shtuar

0

Saranda me ujërat e tij të kristalta, plazhet mahnitëse dhe monumentet e shumta kulturore dhe arkeologjike, mbetet një nga destinacionet më të  preferuara për turistë vendas dhe të huaj.

Edhe për këtë vit, Saranda është renditur nga platformat më të mëdha të udhëtimeve në botë si një nga destinacionet kryesore që nuk duhet lënë pa vizituar. E renditur mes Greqisë, Egjiptit, Francës, Marokut apo Spanjës, Saranda është përzgjedhur sipas vlerësimeve më të mëdha pozitive dhe kërkesave të turistëve.

Ndonëse e gjithë bota po përballet me pasojat e pandemisë COVID-19, qyteti i Sarandës nuk pati asnjë rast të infektuar nga ky virus duke u përfshirë në hartën e qyteteve të gjelbra dhe me shumë lehtësime lëvizje ndryshe nga qytete e tjera të vendit.

Për të mirëpritur turistët, Saranda do të ofrojë një paketë turistike që do jetë 20% më e lirë se vitin e shkuar pas një marrëveshje të arritur me operatorët turistikë.

Kryetari i bashkisë së Sarandës, Adrian Gurma, gjatë një interviste për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, shprehet se “veç situatës jo të zakonshme ne nuk kemi lënë pas dore detyrat e përditshmërisë sonë. Kemi ngritur grupin e monitorimit dhe organizimit për stacionet e plazhit, që është në pjesën përfundimtare të kësaj pune. Në të njëjtën kohë kemi angazhuar dhe kemi bashkëpunuar fort dhe me operatorin që është kontraktuar për menaxhimin e mbetjeve urbane në qytetin e Sarandës”.

“I kemi kërkuar shtim të forcave dhe teknikës dhe të mekanikës së mjeteve që ka në qytetin tonë në mënyrë që në ditët në vijim, situata të jetë më e mirë se çfarë ka qenë në të njëjtën periudhë të vitit të shkuar dhe sezoni turistik përveç të tjerash, edhe për faktin që tashmë jemi në një situatë jo të zakontë, na vë para përgjegjësive që pastërtia dhe higjiena të jenë maksimale. I kemi kërkuar operatorit që është kontraktuar për pastrimin e mbetjeve dhe kemi marrë të gjitha garancitë, patjetër dhe nën monitorimin tonë, që situata krahasuar me vendet e tjera, të jetë më e mirë dhe besojmë se kushdo që do vijë në Sarandë këtë vit për ta vizituar, do të gjejë një Sarandë më të pastër dhe më të denjë për të pushuar”, tha Gurma për ATSH-në.

“Ministria e Turizmit dhe ajo e Shëndetësisë na ka dërguar një draft protokoll për të gjitha rregullat dhe mënyrat për qasjen e re në të gjitha stacionet e plazhit. Pa humbur kohë ne organizuam një takim me të gjithë operatorët turistik kryesisht hotelier, të cilët në masën më të madhe marrin dhe kontraktojnë edhe stacionet e plazhit”,- tha Gurma.

“Bëmë këtë takim për të dëgjuar opinionet, argumentet dhe sugjerimet e tyre, për të dalë me një propozim apo material më të sintetizuar për t’ia dërguar më tej Ministrive të linjës për të parë në vijim se si do të evoluojë situata për sa i takon stacioneve të plazhit në Sarandë. Pasi dua ta theksoj se Saranda ka një veçori, ka një vijë të limituar plazhesh, por jo vetëm në shtrirjen lineare, por dhe të copëzuar, kjo do të kërkonte të rishikohej edhe njëherë protokolli për stacionet e plazhit dhe për njësitë e shërbimit që do ofrojnë shërbimin turistik këtë vit”,- shton ai.

“Në takimet e shpeshta që kam bërë me operatorët turistik, kam marrë miratimin dhe angazhimin e tyre, që në krahasim me vitet e tjera, për shkak edhe të situatës, të procedohet me paketa turistike dhe të gjithë operatorët turistik janë duke sugjeruar për një paketë turistike kryesisht për turistët vendas”,- vijoi kryebashkiaku Sarandës.

“Për hir të situatës që jemi, ndoshta lëvizshmëria me turistët përtej kufijve, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, por dhe më tej, mund të jetë ende në pikëpyetje. Por besojmë dhe shpresojmë që lëvizshmëria brenda territorit të Republikës të jetë lehtësuar ndjeshëm, deri në periudhën kur presim të nisim sezonin turistik, kështu që operatorët janë fokusuar më tepër te paketat për turistët vendas. Në këtë kontekst është vendosur dhe gjykuar që paketa të jetë 20% më e lirë, po të krahasohet me vitet e shkuar”,- tha ai për ATSH.

“Bizneset e hotelerisë do ofrojnë çmime 20% më të lira se vitet e tjera. Në takimin e fundit që pata me bizneset ata ma konfirmuan këtë fakt dhe është oferta e re që Saranda bën për turistët që do vijnë të pushojnë në qytetin tonë. Bashkia i ka marrë të gjitha masat dhe me operatorin e mbetjeve urbane për të pasur një qytet më të pastër dhe më të denjë për të pritur pushuesit. Por gjithashtu dhe ndërmarrja e varësisë, ujësjellësi  dhe shërbimet publike, po punojnë që të mos mungoj as furnizimi me ujë dhe asnjë lloj tjetër shërbimi për turistët”,- vijon Gurma.

Ai bëri me dije se “është ngritur edhe një taskforcë vetëm për menaxhimin e sezonit turistik në situatën post COVID-19 dhe ne jemi në përditësim të të gjitha rregullave dhe veçorive që do na dalin gjatë problematikave gjatë përditshmërisë në këtë situatë jo të zakonshme”.

Sa i takon çështjeve të plazheve, është një risi, ndryshe nga vitet e tjera, vija bregdetare brenda qytetit, për ata që e vizitojnë shpesh Sarandën, nga porti turistik, ose plazhi i ri siç quhet nga qytetarët rezident, deri tek ish Hotel Turizmi, sot Butrinti do të jetë kjo vijë lineare e aksesueshme për këdo pa asnjë lloj pagese. Vitet e tjera ka qenë nën administrimin e Bashkisë me një pagesë minimale, por këtë vit do jetë totalisht falas”,- garantoi Gurma për ATSH-në.

“Nuk është vetëm pushteti lokal, por janë një sërë strukturash në kuadrin dhe organizimit të një taskforce që do të jenë në lëvizje dhe në monitorim të situatës përgjatë gjithë sezonit turistik. Bashkia është njëri nga aktorët që ka pjesën kryesore në menaxhimin e kësaj situate. Por është partner dhe me strukturat e tjera, Komisariati i Policisë, Inspektorati Shtetëror Shëndetësor, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, janë disa struktura që do të jenë pjesë e taskforcës”,- u shpreh Gurma.

“Këto protokolle do të zbatohen që në pikat e hyrjes kufitare. Shpresojmë që pika hyrëse kufitare detare siç është Porti i Sarandës të hapen sa më shpejtë, pasi që prej datës 12 mars është i mbyllur tashmë. Por besoj sa i takon stacioneve të plazhit, protokollet do jenë të njëjta si për turistët shqiptarë dhe të huaj”, shprehet Gurma për ATSH.

“Turistët do ta gjejnë Sarandën ndryshe nga të gjitha vitet e tjera, më mikpritëse dhe më e ngrohtë. Të vijnë të pushojnë në Sarandë!”,- shprehet Gurma.

Artikulli i mëparshëmFalë zotit kemi njohur fqinjët gjatë karantinës…
Artikulli i radhësProtesta kundër masave të COVID-19/ Në Gjermani sulmohen gazetarët