Një aksident i rëndë tronditi sot qytetin e Novi Sadit, ku një pjesë e çatisë së jashtme në stacionin e trenit u shemb, duke lënë pas të paktën 12 viktima. Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiç, njoftoi se “numri aktual i trupave të gjetur është 12.” Ai shtoi se dy të tjerë ndodhen në spital, njëri prej tyre në gjendje kritike.
Operacionet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë, ku ekipet kanë kontaktuar dy persona të bllokuar nën rrënoja. “Operacioni është ende në zhvillim dhe jashtëzakonisht sfidues,” tha Daçiç, duke shtuar se mbi 80 shpëtues po marrin pjesë në operacion me ndihmën e makinerive të rënda.
Pamjet nga vendngjarja, të shpërndara në rrjetet sociale, tregojnë skena dramatike me ambulanca, zjarrfikës dhe ekskavatorë që po gërmojnë në rrënoja. Instituti i transfuzionit të gjakut në Novi Sad bëri thirrje për dhurime gjaku, për të ndihmuar të lënduarit.
Stacioni, i rihapur në korrik pas tre vitesh rinovime, kishte ende punime në disa pjesë të tij. Kryeministri serb, Miloš Vuçeviç, premtoi hetim të plotë për shkaqet e aksidentit dhe tha se do të ndiqen ligjërisht ata që duhet të kishin garantuar sigurinë e strukturës. “Ngushëllimet e mia për familjet e viktimave. Kjo është një e premte e zezë për të gjithë Serbinë dhe për Novi Sadin,” deklaroi Vuçeviç.
Hekurudhat Serbe njoftuan se çatia e shembur nuk ishte pjesë e rinovimeve të përfunduara në stacion. “Hekurudhat Serbe shprehin keqardhje për aksidentin dhe premtojnë njoftime të mëtejshme sapo të ketë detaje të reja nga hetimet,” thuhet në deklaratën e tyre.
Linja e re hekurudhore me shpejtësi të lartë mes Novi Sadit dhe Beogradit u inaugurua në mars të vitit të kaluar, si pjesë e përpjekjeve për modernizimin e transportit në Serbi.