Rama për buxhetin: Nuk ka rritje pensionesh, vetëm një bonus në fundvit

0

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar ndarjen e një fondi prej 100 milionë eurosh për pensionistët, të cilët do të përfitojnë një bonus të fundvitit, por pa rritje të pensioneve.

Gjatë fjalës në Kuvend, Rama shpjegoi se bonusi do të ndahet në dy kategori. Pensionistët që marrin më pak se 200 mijë lekë në muaj do të përfitojnë një bonus prej 150 mijë lekësh, ndërsa ata me pension mbi këtë shifër do të marrin 100 mijë lekë.

“Ky dallim bëhet për të ndihmuar më shumë ata që kanë pensione më të ulëta,” tha Rama, duke shtuar se ky bonus është shumë më i lartë se ai i viteve të mëparshme.

Sidoqoftë, opozita e ka kritikuar këtë nismë si një masë të përkohshme, duke theksuar se bonusi vjen vetëm një herë në katër vite, në prag të zgjedhjeve. Deputeti Gazment Bardhi deklaroi: “Kjo është një manovër politike, jo një mbështetje reale për pensionistët.”

Opozita ka kërkuar një rishikim të buxhetit për 2025, duke përfshirë rritje të qëndrueshme për pensionet dhe përmirësime në politikat sociale.

Ndërkohë, tensionet në Kuvend u rritën kur deputetët e opozitës kundërshtuan fjalimin e Ramës, duke trokitur tavolinat dhe duke e akuzuar qeverinë për mungesë të kujdesit të vazhdueshëm ndaj grupeve vulnerabël.

Artikulli i mëparshëmPasagjerët të tmerruar, turbulencat e rënda detyrojnë aeroplanin e Scandinavian Airlines të kthehet në Evropë