Nëna e Martin Canit kërkon drejtësi: Askush nuk ka marrë përgjegjësi për humbjen e djalit tim

0

Një muaj pas humbjes tragjike të 14-vjeçarit Martin Cani në hyrjen e shkollës “Fan Noli,” nëna e tij, Florinda Cani, ka thyer heshtjen duke ngritur akuza për mungesën e përgjegjësisë nga institucionet arsimore dhe komuniteti. Ajo shprehet se nuk ka marrë asnjë telefonatë ngushëllimi nga mësuesit e shkollës, as edhe një shenjë ndjese apo mbështetje për ngjarjen.

“Martini nuk u vra në kohën e lirë apo kur mbaronte puna. Ai u vra në derën e shkollës. Nëse do të më kishin njoftuar për çfarë ndodhte, do të isha aty për të parandaluar këtë tragjedi. Martini ishte një fëmijë shumë i sjellshëm. Dua drejtësi dhe vetëm drejtësi për të,” deklaroi ajo.

Nëna e Martin Canit foli edhe për prindërit e adoleshentit që kreu krimin, duke thënë se ata duhet të kishin reaguar dhe të tregonin empati për dhimbjen që ndjen familja e saj. “Unë kam humbur djalin tim, e kam në dhe. Ata duhet të thoshin se ndjejnë të njëjtën dhimbje si unë. Kjo është njerëzore, të paktën të kërkojnë ndjesë,” shtoi ajo.

Familjarët e Martin Canit gjithashtu ngritën akuza për manipulime në procesin hetimor, duke theksuar se drejtësia po vonohet dhe ngjarja po trajtohet me mungesë transparence. Deri më tani është arrestuar një 14-vjeçar, nxënës i shkollës “Fan Noli,” por sipas dëshmitarëve, të tjerë adoleshentë kanë qenë të përfshirë në sherrin fatal.

Ngjarja e rëndë ka nxitur protesta dhe thirrje për rritjen e sigurisë në shkolla, ndërsa prindërit dhe qytetarët kërkojnë veprime konkrete nga autoritetet për të parandaluar raste të tilla në të ardhmen. Trishtimi dhe zemërimi i familjes Cani mbeten një kujtesë e dhimbshme e përgjegjësive të pa përmbushura nga sistemi arsimor dhe shoqëria.

Ap

Artikulli i mëparshëmKonfiskohen pasuritë e Alket Hatijas, i dënuar për trafik droge në Itali
Artikulli i radhësBeleri: Burgosja e liderëve opozitar në Shqipëri, tregues i një regjimi autoritar