Imagjinoni të paguani qindra euro për një shishe vere që mendoni se është prodhuar në Toskanë, nga vreshta prestigjioze. Në të vërtetë, ajo që gjendet brenda shishes mund të jetë një verë e lirë, e blerë për 1-2 euro litri nga rajone të tjera të Italisë, si Abruzzo apo Sicilia.
Prodhuesit e mëdhenj përdorin laboratorë për të “përmirësuar” këtë verë të lirë, duke modifikuar ngjyrën, shijen dhe përqindjen e alkoolit. Më pas, ata e shesin si Chianti ose si etiketa Super Tuscan, me çmime që arrijnë deri në 300-400 euro për shishe. Kjo praktikë, e mbështetur nga dokumente të falsifikuara, u krijon konsumatorëve iluzionin e një produkti autentik dhe ekskluziv, ndërsa në realitet ata mashtrohen duke paguar shifra marramendëse për një verë të zakonshme.
Ky mashtrim është zbuluar nga një hetim i fundit i Report, i cili ka nxjerrë në pah mënyrën se si disa nga emrat më të njohur të industrisë po abuzojnë me besimin e konsumatorëve. Në fund, janë blerësit ata që humbin, duke paguar çmime astronomike për një produkt që nuk i korrespondon vlerës së pretenduar.