Nguti që FSHF po tregon për të rifilluar sa më shpejt kampionatin e Superiores ka çuditur shumëkënd. Ndërsa në kampionate të ndryshme deklarojnë se janë gati të vazhdojnë edhe në korrik e gusht ndeshjet e tyre, përtej afateve të caktuara nga UEFA, kampionati jonë nuk e ka atë luks dhe kjo për shkak të faktit se tani renditet ndër të fundit në kontinent.
Kampionati jonë bën pjesë në listën e kampionateve të cilave UEFA u ka vendosur “ultimatum” për të pasur gati emrat e skuadrave pjesëmarrëse në Kupat e Europës që në javën e fundit të korrikut.
Plani i UEFA-s është që në muajin gusht, paralelisht me ndeshjet e mbetura në Ligën e Kampioneve dhe Ligën e Europës, të luhen edhe ndeshjet e fazës kualifikuese të këtyre dy turneve, aty ku marrin pjesë zakonisht ekipet shqiptare.
Por që këta të fundit të marrin pjesë në turin e parë, duhet që UEFA të ketë emrat që në javën e fundit të korrikut kur ka parashikuar të hedhë shortin e aktivitetit.
Ndaj Shqipërisë, ashtu si edhe disa kampionateve të tjera, u është kërkuar me çdo kusht që atëherë të kenë gati listën e skuadrave pjesëmarrëse në Europë.
UEFA ka caktuar edhe datën 25 maj atë ku do t’i raportohet se çfarë do të bëhet me kampionatet në çdo vend, pasi mendon se nga 25 maji, deri më 25 korrik, të gjithë do të kenë kohën e mjaftueshme për të përfunduar ndeshjet e mbetura dhe për të përcaktuar listat e Euriopës.
Çdo javë që vonon rifillimi i kampionatit, ngjesh më shumë këtë kalendar ndeshjesh dhe mund të çojë fillimisht në eliminimin e plotë të Kupave, e më pas në ngjeshjen e sfidave deri në zhvillimin e tyre çdo 72 orë, minimumi i distancës kohore që lejon FIFA.
Ndryshe është për kampionatet që kanë skuadra të cilat nisin rrugëtimin në turet e mëtejshme kualifikuese për të arritur deri te ato në Itali, Spanjë apo Angli që mendojnë rifillimin ndoshta edhe në fundin e qershorit, duke llogaritur se kanë kohë për të luajtur edhe në gusht, meqë skuadrat e tyre kryesisht marin pjesë driekt në fazën në grupe të këtyre turneve.