Skandali në RTSH: Leka Bungo dhe Alfred Peza nën akuzë për konflikt interesi dhe shpërdorim fondesh

0

Në një tjetër skandal që trondit Radio Televizionin Publik Shqiptar (RTSH), janë zbuluar dokumente që implikojnë Kryetarin e Këshillit të RTSH, Leka Bungo, dhe ish-Drejtorin e Përgjithshëm Alfred Peza në shkelje flagrante të ligjit dhe përfitime personale nga fondet publike.

Sipas dokumenteve ekskluzive të siguruara nga “Pamfleti,” në dhjetor të vitit 2023, Bungo i ka propozuar Pezës një projekt televiziv për natën e ndërrimit të viteve. Emisioni “Gëzuar,” një spektakël dyorësh, është transmetuar më 31 dhjetor 2023 në kanalin RTSH 1HD. Për këtë program, Bungo ka përfituar plot 4 milionë lekë të vjetra, shkelje e hapur e ligjit që ndalon anëtarët e Këshillit Drejtues të përfitojnë financiarisht nga projektet e institucionit.

Konflikti i pastër i interesit dhe shkelja e ligjit

Leka Bungo, përveç rolit si Drejtor Programi, ka vepruar edhe si Autor Skenari, duke përfituar dyfish nga fondet publike. Kontrata për këtë projekt është firmosur nga Alfred Peza më 29 dhjetor 2023, në një kohë kur marrëdhëniet mes tyre duket se ishin të kushtëzuara nga interesa personale. Burime të brendshme sugjerojnë se kjo kontratë mund të ketë qenë një “blerje” e përkrahjes së Bungos për emërimet e drejtorëve të propozuar nga Peza.

Përmbajtja e emisionit dhe shpenzimet e pajustifikuara

Emisioni “Gëzuar” ka përfshirë materiale të arkivës me këngë dhe humor të vjetër, pa asnjë prodhim të ri që të justifikojë koston e lartë. RTSH ka miratuar projektin me një vendim formal, ndërsa detajet e preventivit financiar ngrejnë dyshime mbi mënyrën e shpenzimit të fondeve.

Reagime dhe thirrje për hetime

Ky skandal ka nxitur reagime të ashpra nga shoqëria civile dhe mediat. Shkelja flagrante e ligjit përbën një rast të qartë të shpërdorimit të fondeve publike dhe kërkon ndërhyrjen e organeve kompetente për hetim të thelluar dhe vendosjen para përgjegjësisë të individëve të përfshirë.

RTSH, si një institucion publik që duhet të shërbejë interesit të qytetarëve, është kthyer në një arenë interesash personale dhe abuzimesh financiare. Zbulimi i këtij rasti është vetëm maja e ajsbergut për atë që duket të jetë një sistem i thellë abuzimesh dhe korrupsioni në institucionin më të rëndësishëm të mediave publike në Shqipëri.

Artikulli i mëparshëmArmata hije e Putinit: si nafta ruse vazhdon të financojë luftën në Ukrainë
Artikulli i radhësJustin Trudeau jep dorëheqjen si kryeministër: Efekti Trump fillon të ndjehet në politikën kanadeze