Korrupsion në zgjedhje: Kryebashkiaku Edison Memolla dënohet me 1 vit burg dhe ndalohet nga funksionet publike

0

Gjykata e Posaçme ka shpallur fajtor kryetarin socialist të Bashkisë Rrogozhinë, Edison Memolla, për “korrupsion në zgjedhje.” Memolla është dënuar me 1 vit burg dhe 5 vite ndalim për ushtrimin e funksioneve publike.

Hetimet nisën pas publikimit të një audio-përgjimi në prag të zgjedhjeve të pjesshme të 6 marsit 2022, ku Memolla, atëherë kandidat për kryetar bashkie, dëgjohej duke ndikuar te një elektricist për të mos ndërprerë energjinë elektrike abonentëve debitorë. Sipas akuzës, ndërhyrjet kishin për qëllim të garantonin votat e qytetarëve në favor të tij.

Prokuroria e Posaçme ka provuar se Memolla, në bashkëpunim me punonjës të OSHEE-së, ndikoi që qytetarët të mos mbeteshin pa energji elektrike deri pas zgjedhjeve, duke u ofruar në këmbim mos-ndërprerjen e furnizimit apo shlyerjen e borxheve.

Pas shpalljes së vendimit, Memolla deklaroi se do ta ankimojë atë. Kjo ngjarje vjen pas rasteve të tjera të korrupsionit në zgjedhje, përfshirë dënimin e Fredi Belerit, kryetarit të zgjedhur të Bashkisë Himarë, me 2 vite burg në vitin 2024 për akuza të ngjashme.

Rasti i fundit ngre shqetësime mbi integritetin e procesit zgjedhor dhe abuzimin me pushtetin në nivel lokal. Ndërkohë, autoritetet mbeten të angazhuara për të luftuar praktika të tilla korruptive.

Artikulli i mëparshëmZbardhen detaje të reja mbi vrasjen e Lulzim Vishës: Gjenden 12 gëzhoja në automjet
Artikulli i radhësSekuestrohen mbi 8 milionë euro nga mashtrime në Berat dhe qytete të tjera