
Seanca gjyqësore për dosjen e njohur “Plumbi i Artë” në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) është shoqëruar me debate të ashpra dhe tensione mes të pandehurve.
Dumani: “Do t’jua ha hallvën të gjithëve”
Gjatë seancës, Nuredin Dumani, bashkëpunëtori i drejtësisë, ka pasur përplasje të forta me të pandehurin Enver Diva. Kur një prej të akuzuarve e provokoi, Dumani u përgjigj me tone të ashpra:
“Nuk vdes unë pa ju ngrënë hallvën të gjithëve, nuk ma hani mua.”
Këtyre deklaratave i është kundërpërgjigjur Enver Diva, duke thënë:
“Do ta shohim se kush do ia hajë hallvën kujt.”
Tensionet gjatë dëshmisë
Në seancë pati përplasje edhe mes avokatëve dhe prokurorëve. Avokati Ilia Ilia, i cili përfaqëson të pandehurin Agron Qoli, ka bërë disa pyetje që u konsideruan si “analiza” nga ana e prokurorisë.
Në dëshminë e tij, Dumani ka pranuar se ka pasur njohje dhe marrëdhënie me disa nga të pandehurit, përfshirë Agron Qolin dhe Besnik Qolin, duke dhënë detaje për lëvizjet dhe aktivitetet e tyre.
Gjyqi vazhdon mes tensioneve
Seanca u karakterizua nga debate të ndezura dhe përplasje verbale, ndërsa pritet që gjyqi për dosjen “Plumbi i Artë” të vazhdojë me zhvillime të tjera në ditët në vijim.