Një vogëlushe australiane ka shpëtuar me fat pasi gëlltiti 32 zara magnetë nga brendësia e një lodre, gjatë izolimit të koronavirusit.
18 muajshja Imogen Ferguson, duhet të kryente operacion emergjent në stomak e në zorrë, tha kirurgu që e kuroi në Melburne.
Ai shtoi: “Këto magnete janë shumë të rrezikshme pasi shkatërrojnë indet e zorrëve teksa përpiqen t’i afrohen njëri-tjetrit. Ato shkaktojnë vrima në zorrë që janë kërcënuese për jetën”.
Mamaja e vajzës Teigan Brown, tha për mediat vendase: “Kam qarë pa pushim, ndjehesha shumë me faj”.
Imogen ka qëndruar në izolim gjatë krizës së koronavirusit me motrën e saj Heidi, katër vjeçe, e cila gjithashtu kishte gëlltitur dy magnetë.
Teigan tha se vajzat kishin gjetur lodrën problematike në vetëm dy minuta pasi i kishte lënë vetëm.
“Unë nuk e dija që ato e kishin gjetur, derisa Heidi erdhi e më tha se e vogla kishte futur diçka në gojë dhe e kishte gëlltitur. Unë i thashë se s’ka gjë, nëse është vetëm një. Por ditën tjetër të voglës Imogen iu rrit temperatura dhe kishte dhimbje.”
Ajo u dërgua menjëherë në spital ku radiologu me një grafi me rreze X zbuloi 32 zara në stomakun dhe zorrët e saj.
Ajo u operua dhe tashmë pritet të shërohet plotësisht. Kreu i kirurgjisë paralajmëroi prindërit për reziqe të tilla gjatë karantinës së koronavirusit.
“Shumë lodra kanë magnete të vegjël. Ato shiten edhe për të rritur si diçka për të luajtur në zyrë. Tani që ka shumë fëmijë që qëndrojnë në shtëpi, me më shumë kohë për të eksploruar shtëpinë, ka rreziqe të shtuara që ata të kapërdijnë gjëra të ndryshme. Prandaj pridënrit duhet të jenë vigjilentë dhe të parandalojnë më të vegjëlit të gjejnë lodra të rrezikshme”, tha kirurgu Allen Kimber.