Përplasje e ashpër mes Arben Ahmetajt dhe Baton Haxhiut: “Je bërë palë, unë s’i kam nxjerrë kurrë miqtë në pritë!”

0

Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj ka reaguar ashpër ndaj Baton Haxhiut gjatë një lidhjeje direkte në emisionin Çim Peka Live në Syri TV, duke e akuzuar atë se është vënë në shërbim të pushtetit për ta sulmuar. Ahmetaj u shpreh se Haxhiu po shmang çështjet e rëndësishme si afera e 50 milionë dollarëve te tuneli i Llogarasë, Eko Parku dhe skandalet me AKSHI-n, duke u përqendruar në çështjen e azilit të tij.

“Unë nuk kam qenë zari i askujt. Do t’i sugjeroja Batonit që të fokusohej te 50 milionshi, te Eko Parku dhe jo te azili im.” – tha Ahmetaj.

Takimi 4-orësh në Zvicër dhe akuzat ndaj qeverisë

Ahmetaj kujtoi një takim privat me Haxhiun që kishte zgjatur katër orë në Zvicër, duke e sfiduar atë të tregojë të vërtetën mbi atë që ishte biseduar.

“Batoni, kur më quan maskara, po të them miqësisht që nuk kam qenë kurrë i tillë. Nuk i kam nxjerrë miqtë në pritë, nuk kam ngulur thika pas shpine. Për atë takim 4-orësh që kemi kaluar bashkë, nëse do, e detajojmë. Ti e ke thënë vetë që ne jemi takuar. Unë jam përpjekur të hedh dritë mbi atë që i bëhet Shqipërisë dhe mbi padrejtësinë që më është bërë mua.”

Ish-numri 2 i qeverisë akuzoi drejtpërdrejt Edi Ramën, duke e cilësuar si “kreun e organizatës” dhe duke pretenduar se ai po përdor media të ndryshme për të sulmuar ata që kanë dijeni mbi aferat korruptive të qeverisë.

“Nuk jam 007, por po tregoj të vërtetën”

Ahmetaj theksoi se nuk është një “007”, por një person që po tregon të vërtetën për skandalet qeveritare. Ai pretendoi se SPAK-u ka ndryshuar pesë herë prokurorët që merren me çështjen e tij, një lëvizje që e konsideroi të qëllimshme.

“E kuptoni çfarë po ndodh në SPAK? Ka ndërruar prokurorin për herë të pestë! Ka ikur Millonai dhe është vendosur një tjetër. Çfarë janë këto lëvizje?”

Në fund, Ahmetaj tha se është një viktimë e abuzimit të pushtetit dhe korrupsionit mediatik, duke sugjeruar se ai nuk ka ndërmend të dorëzohet përballë sulmeve politike dhe gjyqësore.

“Unë jam fenomen i abuzimit të pushtetit, të korrupsionit të medias dhe varësisë së drejtësisë nga një njeri i vetëm.”

Artikulli i mëparshëmDebat i ashpër mbi SPAK: Anila Hoxha kundërshton avokatin Rumano për presionin ndaj GJKKO
Artikulli i radhësPanama tërhiqet nga marrëveshja me Kinën pas presionit të Trump