Ndërron jetë ish-deputeti i PS-së, Andis Harasani

0

Ish-deputeti i Partisë Socialiste për dy legjislatura, Andis Harasani, është ndarë nga jeta në moshën 53-vjeçare pas një sëmundjeje të rëndë, nga e cila vuante prej dy vitesh.

Lajmin e ka bërë të ditur miku i tij, Agim Muço, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale shkruan:

“Para pak minutash u njoftova se u nda nga jeta pas një sëmundjeje të rëndë, Andis Harasani. Andisin e kam njohur kur e kisha student në Fakultetin Ekonomik. Ishte vërtet një student inteligjent. Më pas punuam bashkë te Deloitte & Touche Tirana. Ishte një ‘tirons’ i ëmbël, por edhe djalë i zoti.”

Karriera politike dhe profesionale

Andis Harasani u zgjodh deputet për herë të parë në vitin 2005 dhe më pas në 2009, përpara se të largohej nga politika aktive në 2013, kur Edi Rama mori drejtimin e qeverisë. Pas kësaj, ai u zhvendos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku jetoi me familjen e tij.

Para se të hynte në politikë, Harasani kishte shërbyer si drejtor i KESH-it nga shtatori 2002 deri në korrik 2005.

Megjithatë, ai nuk u tërhoq plotësisht nga jeta publike. Në vitet e fundit, ai ishte aktiv në rrjetet sociale, ku shpesh shprehte kritika ndaj Edi Ramës dhe Partisë Socialiste.

Largimi i tij nga jeta lë pas kujtime të një figure politike dhe profesionale, e cila ndikoi në skenën publike shqiptare për më shumë se dy dekada.

Artikulli i mëparshëm“Bacha bazi” në Afganistan: Abuzimi tragjik i djemve që nuk po ndalet
Artikulli i radhësPaloka: Çdo mbështetës i Veliajt rezulton i korruptuar