
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Vlorë, ku futbollisti nigerian i Flamurtarit, Sodiq Atanda, është sulmuar me thikë në një tentativë grabitjeje. 31-vjeçari, i cili më parë ka luajtur për Partizanin, është transportuar menjëherë në spitalin e Vlorës, ku ka marrë ndihmën mjekësore.
Policia ka identifikuar autorin e sulmit, një 21-vjeçar i identifikuar si D. B., i cili dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor. Shërbimet e policisë vijojnë kërkimet për arrestimin e tij.
Deklarata e Policisë:
- Ngjarja ndodhi rreth orës 18:00 në zonën e njohur si “Kali i Trojës”.
- Konflikti ka qenë i çastit dhe për motive të dobëta.
- Atanda ka marrë një plagë të lehtë në dorë nga një mjet prerës (thikë).
- Pas mjekimit, ai është paraqitur në komisariat për të bërë kallëzimin.
Flamurtari në tronditje
Sulmi ndaj mbrojtësit të Flamurtarit ka sjellë shqetësim në kampin vlonjat, veçanërisht në një moment ku ekipi është në garë për ngjitjen në Superiore. Atanda, i cili këtë sezon i është bashkuar Flamurtarit, është një figurë e rëndësishme për skuadrën.
Policia po vijon hetimet për të zbardhur plotësisht ngjarjen dhe për të kapur autorin.