
Një incident i pazakontë ndodhi gjatë protestës së organizuar kundër vendimit të qeverisë për mbylljen e TikTok në Shqipëri. Një protestues, i cili nuk ishte pjesë e organizatorëve, u ngjit në podium dhe nisi të fliste për fenë, duke u shkëputur nga tema e tubimit.
Teksa protesta ishte përqendruar në kundërshtimin e censurës dhe mbrojtjen e lirisë së shprehjes, qytetari nisi një fjalim mbi Allahun dhe disa “sekrete” që pretendonte se do të ndante me të pranishmit.
“Për çfarë kemi ardhur në këtë dynja? Për të ditur mrekullitë e Allahut. Shikoni se si janë shpopulluar krejt, fëmijët tanë ku i kemi? Nëpër botë!” – deklaroi ai.
Megjithatë, organizatorët e protestës ndërhynë menjëherë duke i hequr mikrofonin dhe nuk e lejuan të vazhdonte më tej. Protestuesi tentoi të vazhdonte fjalimin e tij, por nuk iu dha më mundësia.
Incidenti nuk ndikoi në vijimin e protestës, e cila u fokusua në denoncimin e vendimit të qeverisë për mbylljen e TikTok, një platformë që përdoret gjerësisht nga të rinjtë në Shqipëri. Protestuesit mbanin pankarta me mesazhe kundër censurës dhe kufizimit të lirisë së shprehjes, duke e konsideruar këtë vendim si një sulm ndaj demokracisë.
Ndërkohë, reagimet për ndërhyrjen ndaj protestuesit ishin të ndryshme, me disa që e konsideruan të drejtë ndërprerjen e fjalimit për të ruajtur qëllimin e protestës, ndërsa të tjerë e panë si një formë të kufizimit të shprehjes.