
Autoritetet në Maqedoninë e Veriut kanë konfirmuar se 51 persona kanë humbur jetën nga zjarri katastrofik që përfshiu diskotekën Pulse në Koçan.
Policia ka arrestuar disa persona të lidhur me organizimin e festës, ndërsa hetimet vijojnë për të përcaktuar përgjegjësitë e kësaj tragjedie. Ministri i Brendshëm ka paralajmëruar një konferencë për media, ku priten më shumë detaje mbi ngjarjen.
Lexo edhe:
“Dilni jashtë, dilni jashtë…” – Pamjet dramatike nga klubi i natës ku humbën jetën 50 persona
Shkaqet e dyshuara të zjarrit dhe pasojat
Sipas mediave lokale, zjarri është shkaktuar nga mjetet piroteknike të përdorura gjatë performancës së grupit maqedonas DNA. Në momentin e shpërthimit të flakëve, klubi ishte i mbushur me njerëz, çka e bëri evakuimin jashtëzakonisht të vështirë.
Shërbimet e emergjencës, përfshirë zjarrfikësit, ambulancat dhe policinë, mbërritën shpejt në vendngjarje, por intensiteti i flakëve e bëri shpëtimin e personave brenda shumë të vështirë.
Lexo edhe:
Tragjedi në Maqedoni të Veriut: Zjarr në klubin e natës, mbi 50 të vdekur
Familjarët kërkojnë të afërmit e tyre
Pamjet nga mëngjesi i sotëm tregojnë qindra njerëz të mbledhur përpara klubit në Koçan, të dëshpëruar dhe të paqartë për fatin e familjarëve të tyre.
“Po kërkoj mbesën time. Telefoni i saj po punon, por ajo nuk përgjigjet. Nuk dimë nëse është e plagosur apo më keq. Askush nuk po na jep informacion se ku mund ta kërkojmë”, ka deklaruar një grua për Radion Evropa e Lirë.
Autoritetet në terren për hetime
Drejtori i Qendrës për Menaxhimin e Krizave, Stojançe Angellov, ka deklaruar se është në Koçan bashkë me ministrin e Mbrojtjes, Pançe Toshkovski, dhe Drejtorin e Byrosë për Siguri Publike, Aleksandar Janev për të ndjekur nga afër situatën dhe hetimet.
LNgjarja ka tronditur mbarë vendin, duke ngritur pyetje serioze mbi masat e sigurisë në ambientet e argëtimit dhe duke rritur presionin mbi autoritetet për të nxjerrë përgjegjësitë sa më shpejt.