
Sinodi i Shenjtë ka zgjedhur Joan Pelushin si Kryepeshkopin e ri të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, duke e pasuar të ndjerin Anastas Janullatos. Vendimi u bë i ditur nga kambanat e kishave në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit, ndërsa zgjedhja e tij u prit me emocione të mëdha nga besimtarët.
Fronezimi dhe angazhimi i ri
Kryepeshkopi i sapozgjedhur, Imzot Joan Pelushi, do të zyrtarizohet më 29 mars gjatë një ceremonie të veçantë të fronëzimit. Në fjalën e tij të parë pas zgjedhjes, ai shprehu përkushtimin e tij ndaj Kishës dhe besimtarëve:
“Me përulësi, duke iu bindur vullnetit hyjnor pranoj këtë shërbim të lartë dhe premtoj se do ta zbatoj me devotshmëri detyrën time. Do të respektoj traditën e shenjtë dhe do të përpiqem me forcë të mbroj të drejtat e Kishës, i vetëdijshëm për peshën e kësaj përgjegjësie. I lutem Krishtit të më japë ndriçim, forcë dhe urtësi për të përmbushur këtë mision.”
Kush është Joan Pelushi?
Joan Pelushi ka lindur në Tiranë dhe është konvertuar nga bektashi në ortodoks në moshë të re. Ai ka ndjekur studimet e tij në SHBA, ku u diplomua me Master në Studimet Teologjike në “Kryqin e Shenjtë”. Pas kthimit në Shqipëri, Kryepeshkopi Anastas e caktoi si pedagog në Seminarin Teologjik të Durrësit dhe e hirotonisi dhjak më 27 shkurt 1994 dhe prift më 4 dhjetor të po atij viti.
Në vitin 1996, pas studimeve të mëtejshme në SHBA, ai u rikthye dhe u caktua drejtor i Seminarit Teologjik në Durrës. Më 18 korrik 1998, ai u zgjodh Mitropoliti i Korçës dhe dy ditë më pas u fronëzua në këtë detyrë.
Gjatë viteve të shërbimit të tij, ai ka qenë një figurë e rëndësishme brenda Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, duke përkthyer dhe botuar një numër librash teologjikë dhe duke kontribuar në botime të ndryshme si revista “Ngjallja” dhe “Tempulli”.
Sfida dhe pritshmëritë
Ndër vite, Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë është përballur me sfida të ndryshme, përfshirë debatet mbi marrëdhëniet me Greqinë dhe çështjet e pronësisë mbi kishat ortodokse në vend. Në një intervistë të mëparshme, Joan Pelushi ka deklaruar:
“Vazhdimisht jemi sulmuar, shpesh pa të drejtë. Çdo ditë na vjedhin kisha dhe ne shpesh kemi heshtur. Akuzat në pjesën më të madhe ngrihen mbi bazë të thashethemeve. Në kishë nuk mësohet greqisht, siç pretendohet. Një fakt i tillë vlen vetëm për zonat minoritare, dhe është e drejta e tyre të mësojnë në gjuhën e tyre.”
Kandidatura e tij ka ngjallur diskutime nëse do të vazhdojë rrugën e ndjekur nga paraardhësi i tij, Anastas Janullatos, apo do të sjellë një qasje të re në drejtimin e Kishës.
Me fronëzimin e tij më 29 mars, pritet të shihet se si do të ndikojë Joan Pelushi në orientimin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe në marrëdhëniet e saj me besimtarët, autoritetet shtetërore dhe komunitetin ndërkombëtar.