
Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, ka zhvilluar një bisedë telefonike me Kryepeshkopin e ri të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Joan Pelushin, për ta uruar për zgjedhjen e tij në krye të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.
Në një mesazh të publikuar në platformën X, Mitsotakis ka theksuar rëndësinë e Kishës si urë lidhëse mes dy vendeve dhe dy popujve fqinj, duke shprehur besimin se kjo frymë bashkëpunimi do të vijojë edhe në të ardhmen.
Mesazhi i Mitsotakis për Kryepeshkopin Joan
“Komunikova me Fortlumturinë e Tij, Kryepeshkopin e Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Joanin, dhe e urova për zgjedhjen e tij. Bindja jonë e përbashkët është se Kisha e Shqipërisë është një pikë bashkimi dhe mirëkuptimi ndërmjet dy popujve. Në këtë drejtim do të vazhdojmë të punojmë, duke nderuar kujtimin dhe veprën e ndritur të të ndjerit Anastas.”
Një sinjal për marrëdhëniet shqiptaro-greke
Ky mesazh shihet si një shenjë mbështetjeje për drejtimin e ri të Kishës Ortodokse dhe një sinjal pozitiv për vazhdimin e marrëdhënieve të mira mes Shqipërisë dhe Greqisë në aspektin shpirtëror dhe ndërkulturor. Kryepeshkopi i ri Joan Pelushi është parë nga shumë analistë si një figurë që mund të forcojë pavarësinë e Kishës Ortodokse Shqiptare, pas një periudhe të gjatë udhëheqjeje nga Anastasi, një hierark me origjinë greke.
Përzgjedhja e një shqiptari në krye të Kishës shihet si një moment historik dhe një pikë kthese në marrëdhëniet e komunitetit ortodoks me shtetin shqiptar dhe fqinjët rajonalë.
Reagime dhe pritshmëri
Zgjedhja e Joanit si Kryepeshkop i ri është pritur me interes nga qarqet politike dhe fetare në Shqipëri dhe Greqi. Ndërsa Kryeministri Edi Rama e ka quajtur zgjedhjen e tij një “kënaqësi e rrallë”, Patriarku i Moskës dhe ai i Konstandinopojës e kanë përgëzuar për këtë detyrë të rëndësishme.
Ndërkohë, analistët dhe komuniteti ortodoks shqiptar presin që Kryepeshkopi i ri të forcojë identitetin autokton të Kishës Ortodokse Shqiptare dhe të ruajë pavarësinë e saj në raport me ndikimet e jashtme.