
Presidenti i Republikës Srpska në Bosnje dhe Hercegovinë, Milorad Dodik, ka bërë një lëvizje të bujshme duke u arratisur drejt Izraelit, pavarësisht urdhrit të lëshuar për arrestimin e tij nga autoritetet boshnjake.
Sipas raportimeve, Dodik ka udhëtuar nga Beogradi drejt Izraelit mbrëmjen e së hënës dhe ka konfirmuar prezencën e tij përmes një postimi në platformën X (ish-Twitter):
“Kam filluar një vizitë në Izrael, një vend, forcën, historinë dhe vendosmërinë e të cilit e respektoj thellësisht.”
Në të njëjtin mesazh, ai e barazoi fatin historik të serbëve dhe hebrenjve, duke thënë se janë dy popuj që janë përballur me përpjekje për zhdukje totale dhe prandaj kanë “një mirëkuptim të ndërsjellë”.
Dodik është njoftuar më herët si pjesëmarrës në Konferencën kundër Antisemitizmit në Jerusalem, më datat 26-27 mars, ndërkohë që Policia Kufitare e Bosnjës ka nisur hetime për mënyrën se si ai e ka kaluar kufirin, në kundërshtim me urdhrat në fuqi.
“Ashtu si Izraeli mbrohet, edhe Republika Srpska mbron të drejtën e saj për të ekzistuar dhe për të ruajtur besëlidhjen e të parëve,” shkroi ai, duke e shfrytëzuar vizitën si platformë politike për retorikën nacionaliste.
Avokati i tij ka deklaruar se vendimi i gjykatës nuk është përfundimtar, ndërsa mediat boshnjake raportojnë për një apel të mundshëm që Dodik synon ta përdorë për të fituar kohë.
Arratisja në Izrael, një vend me të cilin ai deklaron afërsi ideologjike, shihet si një veprim i kalkuluar për të shmangur arrestimin dhe për të fituar mbështetje ndërkombëtare, ndërkohë që presioni ndaj tij po rritet në Bosnje për shkelje të Kushtetutës dhe kërcënime ndaj rendit shtetëror.
Milorad Dodik mbetet një figurë tejet e kontestuar në Ballkan, i njohur për afërsinë me Rusinë, retorikën separatiste dhe sfidimin e vazhdueshëm të institucioneve të Bosnjë-Hercegovinës. Vizita e tij në Izrael pritet të sjellë valë reagimesh diplomatike, në një kohë të tensionuar për rajonin.