
Monika Kryemadhi ka folur publikisht për herë të parë mbi divorcin me Ilir Metën, duke zbuluar se ndarja mes tyre nisi më 1 prill të vitit të kaluar. E ftuar në emisionin “Opinion”, deputetja e Partisë së Lirisë tha se nuk ka marrë asnjë shpjegim nga ish-presidenti për këtë vendim dhe se lajmin për padinë e divorcit e mësoi nga mediat.
“Një gazetar më mori në telefon dhe më tha që është bërë padia për ju, ndërkohë që unë po shikoja ndeshjen Shqipëri–Francë. Nuk jemi ulur ta bisedojmë ndonjëherë dhe nuk kam asnjë shpjegim prej tij,” tha Kryemadhi.
Ajo theksoi se nuk do të marrë pjesë në seancën e radhës gjyqësore, duke shtuar se: “Ai që e ka inicuar, ai le ta komandojë si proces.”
Kryemadhi u shpreh se marrëdhënia e tyre është thyer zyrtarisht më 1 prill dhe që prej asaj kohe nuk ka pasur asnjë prononcim. Ajo refuzoi të flasë për ndarjen në mënyrë emocionale, duke theksuar se është e fokusuar tek fëmijët e saj dhe e ardhmja politike si deputete.
“Nuk jam as e para, as e fundit që i ndodh kjo gjë. Marrëdhënia ime me të është si një deputete. Për mua kjo është çështje e kaluar,” u shpreh ajo.