Berisha: I thashë Bashës të mos përzihej, e dija që partia do të çahej

0

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka folur për herë të parë me tone të qarta për ndarjen e PD-së dhe për përçarjen mes tij dhe Lulzim Bashës, duke rrëfyer një pjesë nga komunikimet e tyre në momentet vendimtare të krizës politike.

I ftuar në emisionin “Top Story”, Berisha deklaroi se kishte parashikuar çarjen e Partisë Demokratike, sidomos pas shpalljes së tij “non grata” nga SHBA dhe nisjes së lëvizjes së njohur si Foltorja.

“E dija që partia do të çahej,” tha Berisha. “I thashë Bashës: ‘Lul, mos u përziej në këtë punë, as ti, as partia. Do ta zgjidh vetë me parimin e Hotit.’”

Duke komentuar mbi sulmet që ka marrë ndër vite, ai tregoi se nuk është zemëruar asnjëherë me kritikët, qoftë politikë, qoftë qytetarë. “Edhe në vitet ‘90 nuk më shqetësonin ata që më godisnin. Më ka ndodhur që një grua më qëlloi me dhe në rrugë, por i dhashë dorën. E kishte duart me kallo, ishte kooperativiste,” kujtoi ai.

Berisha foli edhe për Foltoren, duke kujtuar dyshimet e bashkëpunëtorëve të tij. “Kur e nisa, më thanë ‘po sikur të mos vijë njeri?’ U thashë: tetë vetë të vijnë, më mjaftojnë. Mua më entuziazmojnë njerëzit, jo numrat,” u shpreh ai.

Në lidhje me qëndrimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Berisha pranoi se disa nga veprimet e ambasadores nuk i kishte imagjinuar, por kishte qenë i vetëdijshëm se vendimi i SHBA do të krijonte tronditje dhe reagime brenda partisë.


Artikulli i mëparshëmKryemadhi për divorcin me Metën: Iku nga shtëpia më 1 prill, e mësova nga mediat
Artikulli i radhësTrump i kërkon Zelenskyt gjysmën e Ukrainës? Dokumenti që po trondit diplomacinë botërore