Berisha për listat e PD: Çapja zëvendësoi Sulën, Alimehmeti nuk kishte vend

0

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka sqaruar përzgjedhjen e emrave në listën e mbyllur të kandidatëve për deputetë, gjatë një interviste në emisionin “Top Story”, ku iu përgjigj kritikave për mungesën e figurave si Dashnor Sula dhe Ilir Alimehmeti.

Berisha tha se në vend të Sulës në listën e Elbasanit është vendosur Klodjana Çapja, duke argumentuar se ajo ishte gruaja më e votuar nga Primaret në atë qark dhe se është respektuar kuota gjinore. Ndërsa për Alimehmetin, Berisha pranoi se “s’kishte më vend” në listën e Tiranës.

“Lista kishte 12 vende. E meritonte Kadiu, e meritonte Alimehmeti, por nuk kishte vende. Klodjana Çapja u rendit më lart në Primare. Për gratë ka një standard ligjor: një në çdo tre kandidatë duhet të jetë grua,” – u shpreh Berisha.

I pyetur nga Robert Rakipllari për mungesën e frymës së re në listat e PD, Berisha tha se kandidaturat përfshijnë emra me përvojë politike, por edhe të rinj si Belind Këlliçi, Klevis Balliu dhe Tedi Blushi.

“Lista përfshin kryetarin dhe sekretarin e përgjithshëm. Ka figura me peshë si Jozefina Topalli dhe Edi Paloka. Kjo është një listë e ekuilibruar. Mediu është aleat. Kemi shumë kandidatë të rinj – por jo gjithmonë lista duhet të jetë ‘guxuese’, por përfaqësuese,” – tha ai.

Berisha theksoi se edhe pse në listën e mbyllur nuk janë të gjithë emrat që kanë garuar në Primare, procesi është ndjekur pjesërisht, duke marrë parasysh faktorë strategjikë dhe rregullat e përfaqësimit gjinor.

Këto sqarime vijnë në një moment kritik për PD-në, ku zërat për mungesë rinovimi dhe dominim të figurave tradicionale kanë shtuar debatet brenda partisë dhe opinionit publik.


Artikulli i mëparshëmTrump i kërkon Zelenskyt gjysmën e Ukrainës? Dokumenti që po trondit diplomacinë botërore
Artikulli i radhësBerisha trondit studion: Kam video erotike të gjyqtarëve, por nuk dua t’i publikoj!