
Negociatat Me Bashkimin Europian Përparojnë Me Grupkapitullin Për Tregun E Brendshëm
Kryeministri Edi Rama ka ndarë në rrjetet sociale disa foto nga Luksemburgu, ku Shqipëria ka hapur zyrtarisht grupkapitullin e dytë të negociatave me Bashkimin Europian, duke shënuar një tjetër hap drejt anëtarësimit.
Në fotot e publikuara, Rama shihet së bashku me Komisioneren e Zgjerimit, Marta Kos, si dhe ekipin negociator të Shqipërisë, në një atmosferë festive. Përkrah imazheve, ai shkruan thjesht: “Krenar për Shqipërinë!”
Çfarë përfshin grupkapitulli i dytë?
Negociatat për Grupkapitullin 2, që u hapën gjatë takimit në Luksemburg, përfshijnë:
- Kapitulli 1 – Lëvizja e lirë e mallrave
- Kapitulli 2 – Liria e lëvizjes së punonjësve
- Kapitulli 3 – E drejta e themelimit dhe liria për të ofruar shërbime
- Kapitulli 4 – Lëvizja e lirë e kapitalit
- Kapitulli 6 – E drejta e kompanive
- Kapitulli 7 – E drejta e pronësisë intelektuale
- Kapitulli 8 – Politika e konkurrencës
- Kapitulli 28 – Mbrojtja e konsumatorit dhe shëndetit
Ky zhvillim pason hapjen e grupkapitullit të parë më 15 tetor 2024, i cili përfshinte fushat themelore si sundimi i ligjit, të drejtat themelore dhe funksionimi i institucioneve demokratike. Më pas, më 17 dhjetor, u hap edhe grupkapitulli i gjashtë për politikën e jashtme, sigurinë dhe mbrojtjen.
Ky progres vlerësohet si një hap domethënës në rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE, megjithëse përmbushja e standardeve dhe reformave mbetet një sfidë që kërkon përkushtim të vazhdueshëm nga institucionet shqiptare.