
Kreu i opozitës izraelite, Yair Lapid, ka dhënë një paralajmërim tronditës në një konferencë për shtyp në Tel Aviv, duke deklaruar se fushata e urrejtjes kundër shefit të Shin Bet, Ronen Bar, mund të përfundojë me një vrasje politike.
“Vija e kuqe është kaluar. Nëse nuk ndalet kjo urrejtje, do të ketë një vrasje politike. Hebrenjtë do të vrasin hebrenjtë,” tha Lapid, duke e krahasuar situatën aktuale me tensionet që i paraprinë vrasjes së ish-kryeministrit Yitzhak Rabin në vitin 1995.
Deklaratat vijnë pas shkarkimit të Ronen Bar nga qeveria e Benjamin Netanyahut, një vendim që është cilësuar nga opozita si shpërdorim autoritar i pushtetit. Gjykata e Lartë e Izraelit ka kërkuar një zgjidhje kompromisi midis qeverisë dhe Prokurorisë së Përgjithshme.
Lapid pranoi se Ronen Bar mund të japë dorëheqjen për shkak të dështimit për të parandaluar sulmin e Hamasit më 7 tetor 2023, por theksoi se sulmi personal ndaj tij nuk është zgjidhje. Ai akuzoi drejtpërdrejt Netanyahun për tolerimin e një klime të helmuar urrejtjeje, që ka vënë në shënjestër agjencinë më të rëndësishme të sigurisë së brendshme në vend.
Rreziku për një precedent të rrezikshëm politik është real, thotë Lapid, në një vend që ende mban plagët e hapura nga e kaluara dhe ku tensionet politike po arrijnë nivele të rrezikshme.