
Një ngjarje e rëndë mafioze ka tronditur Athinën pasditen e së enjtes, kur Giorgos Moschouris, një nga bosët më të njohur të krimit të organizuar në Greqi, u ekzekutua në stil mafioz me kallashnikov, në rrugët e frekuentuara të lagjes Chalandri.
Moschouris ishte i njohur si “kumbari i padukshëm i natës”, përfshirë në dosjet voluminoze të mafies greke që prej vitit 2002. Ai kishte shpëtuar një atentati në vitin 2020, por këtë herë nuk mundi t’u mbijetonte breshërive të armëve.
Si Ndodhi Atentati?
Sipas televizionit ANT1, autorët kishin vendosur pritë në një rrugicë pranë një qendre diagnostike, ku Moschouris po trajtohej. Pasi ai doli nga klinika, autorët zbritën nga automjeti dhe e qëlluan me gjakftohtësi në mes të rrugës.
Një dëshmitare që banon në zonë tregoi:
“Dëgjuam të shtënat. Ata ishin fshehur në një pallat. Vetëm pesë minuta më parë kalova aty.”
Panik në Rrugë
Plumbat përshkuan edhe xhamin e pasmë të një automjeti që po kalonte në vendngjarje, duke tronditur drejtuesin e mjetit. Një tjetër moment i kapur nga kamerat tregon një motoçiklist që rrëzohet nga zhurma e armëve.
Xhamat e klinikës dhe disa ndërtesave pranë u dëmtuan nga të shtënat, ndërsa zona u mbush me panik dhe policia rrethoi vendin e ngjarjes për të nisur hetimet.
Kush Ishte Giorgos Moschouris?
Moschouris, 55 vjeç, ishte një figurë qendrore në rrjetin e krimit të organizuar grek. Emri i tij përmendej shpesh në hetime për shantazhe, trafiqe dhe kontroll të lokaleve të natës. Sipas mediave greke, atentati ndaj tij mund të jetë pjesë e larjes së hesapeve brenda botës së krimit.
Autoritetet greke kanë nisur një hetim të gjerë për ngjarjen, ndërsa nuk përjashtohet përfshirja e bandave shqiptare apo ndërkombëtare në këtë atentat.