
Moderatorja e njohur shqiptare, Eni Vasili, është zgjedhur drejtoreshë e Përgjithshme e Radio Televizionit Shqiptar (RTSH) pas një procesi votimi të zhvilluar nga Këshilli Drejtues i institucionit.
Në votimin e dytë të mbajtur sot, Vasili arriti të sigurojë 7 vota pro, duke plotësuar shumicën e nevojshme prej 3/5 të votave për të marrë drejtimin e RTSH-së për një mandat pesëvjeçar.
Në raundin e parë të votimeve, zhvilluar një ditë më parë, asnjë nga kandidatët nuk arriti të merrte votat e nevojshme për t’u shpallur fitues. Në raundin e dytë garuan tre kandidatët më të votuar: Eni Vasili, Xhoi Jakaj dhe Engjëll Musai.
Rezultatet e votimit ishin si më poshtë:
- Eni Vasili – 7 vota
- Xhoi Jakaj – 3 vota
- Engjëll Musai – 1 votë
Zgjedhja e Eni Vasilit në krye të RTSH-së pritet të sjellë një frymë të re në drejtimin e medias publike, pas një periudhe të gjatë debatesh mbi pavarësinë editoriale dhe performancën institucionale.