
Në shenjë respekti dhe dhimbjeje për ndarjen nga jeta të Atit të Shenjtë, Papa Françesku, Shqipëria ka shpallur sot ditë zie kombëtare.
Me një vendim të posaçëm të Këshillit të Ministrave, të marrë të enjten, është urdhëruar ulja në gjysmështizë e flamurit kombëtar në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike.
Njoftimi zyrtar i qeverisë thekson:
“Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të ligjit nr. 8926, datë 22.7.2002, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave vendos:
- Shpalljen ditë zie kombëtare ditën e shtunë, më 26 prill 2025.
- Uljen e flamurit kombëtar në gjysmështizë në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike.
- Transmetimin e muzikës funebër nga stacionet radiotelevizive publike dhe private.
- Ngarkimin e institucioneve përkatëse për zbatimin e këtij vendimi.”
Papa Françesku u nda nga jeta në moshën 88-vjeçare pas një sëmundjeje të rëndë, duke lënë një trashëgimi të jashtëzakonshme në historinë e Kishës Katolike dhe përtej saj.
Për të nderuar kujtimin e tij, institucionet shqiptare dhe qytetarët bashkohen sot në një ditë reflektimi dhe mirënjohjeje për veprën dhe mesazhin universal të Papa Françeskut.