Paketa E Maleve/ Rama Thirrje Emigrantëve Për Të Aplikuar: Tokë Me 1 Euro Dhe 0 Taksa Për 10 Vjet

0

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar sërish “Paketën e Maleve” gjatë një takimi elektoral në Kukës, duke bërë thirrje të drejtpërdrejtë për emigrantët shqiptarë që të investojnë në trojet e të parëve të tyre. Paketa parashikon heqjen e plotë të taksave për 10 vjet për 500 aplikantët e parë që kryejnë investime në agroturizëm, blegtori apo agropërpunim në zonat malore të Shqipërisë.

Sipas kryeministrit, procedura është e thjeshtë: çdo qytetar që ka në përdorim një tokë që nuk figuron në letra, mund të depozitojë një kërkesë në bashki që ajo të njihet si tokë e trashëguar. Pas një afishimi 30-ditor dhe procesit të verifikimit, nëse prona nuk kontestohet, këshilli bashkiak miraton të drejtën për investim.

Me këtë vendim, qytetari harton një projekt dhe e dorëzon në Ministrinë e Ekonomisë, ku lidh një kontratë investimi dhe merr tokën me vlerën simbolike 1 euro. Pas përfundimit të projektit, investimi regjistrohet në hipotekë si pronë e investitorit. Në rast kontestimi të mëvonshëm, Rama theksoi se “shteti garanton pronën e investitorit dhe kompenson palën tjetër”.

“Për 500 të parët nuk do të ketë asnjë lloj takse për 10 vjet. Vetëm do të bëjnë investimin dhe do të kenë siguri juridike,” u shpreh Rama. Ai i drejtoi një thirrje të posaçme të rinjve në emigracion, veçanërisht “çunave në Londër”, që të përfitojnë nga kjo mundësi.

Sipas Ramës, pas zgjedhjeve, do të nisë menjëherë zbatimi i Paketës së Maleve, si një instrument për të kthyer emigracionin në forcë zhvillimi dhe për të ngjallur zonat e braktisura malore përmes investimeve private.

Artikulli i mëparshëmOSBE/ODIHR Ngre Alarmin: Zgjedhjet e 11 Majit në Shqipëri Po Mbahen në Klimë të Papërshtatshme Demokratike
Artikulli i radhësTesti I Vërtetë Për Kinën Nuk Është Lufta Tregtare E Trump-it