
Për të nëntën herë radhazi, Kuvendi i Kosovës ka dështuar të konstituohet, duke thelluar krizën institucionale dhe bllokimin parlamentar.
Në seancën e së enjtes, nuk kaloi propozimi i Avni Deharit, kryesues i seancës, për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit.
Lëvizja Vetëvendosje, partia fituese e zgjedhjeve, nuk arriti as këtë herë të sigurojë votat e mjaftueshme për kandidaten e saj, Albulena Haxhiu, e cila konsiderohet si figurë përçarëse nga një pjesë e spektrit politik.
Në pesë nga gjashtë votimet, për Haxhiun votuan vetëm 57 deputetë, ndërsa për t’u zgjedhur kryetare e Kuvendit nevojiten të paktën 61 vota.
Vetëvendosje vijon të këmbëngulë se Albulena Haxhiu është kandidate e merituar, por kundërshtimi nga partitë e tjera ka ngrirë procesin dhe ka lënë institucionin pa drejtues legjitim.
Ngërçi politik në Prishtinë po zgjat përtej parashikimeve, duke minuar funksionimin e institucioneve dhe proceset ligjvënëse, ndërsa çdo dështim i radhës e shton presionin politik mbi Vetëvendosjen dhe sistemin parlamentar kosovar.