
Një skandal tronditës ushqimor është zbuluar në një fabrikë sallami në Tiranë, ku mishi i kalbur, i mykur dhe jashtë çdo standardi sanitar, përpunohet në kushte të papranueshme për t’u kthyer në sallam dhe më pas për t’u tregtuar në tregun shqiptar.
Në pamjet ekskluzive të siguruara nga “Ora News”, dallohet qartë mishi me ngjyrë të errët, shpesh i hedhur në tokë, që brumëzohet në kova plastike të çara dhe më pas përzihet me ngjyrues artificialë dhe erëza, për të maskuar ngjyrën dhe aromën e keqe.
Fabrika ndodhet në Tiranë dhe sipas gazetares Alketa Çeku, aty mishi dhe sallami i mykur përzihen pa asnjë kontroll, për të prodhuar produktet që konsumohen nga qytetarët.
Më alarmante është se AKU, megjithë njohjen për situatën, nuk ka ndërhyrë, duke lënë të kuptohet se pronari i fabrikës ka blerë heshtjen e inspektorëve me para nën dorë.
Pamjet tregojnë qartë sesi sallami dhe mishi i prishur transformohen vetëm përmes shtimit të ngjyruesve kimikë, pa asnjë respekt për shëndetin publik. Nuk dihet çfarë përbërësish të tjerë përfshihen në këtë “bombë kimike” ushqimore që shpërndahet nëpër dyqane dhe markete.
Ky është një alarm serioz për autoritetet, por edhe për konsumatorët shqiptarë, që duhet të kuptojnë rrezikun që u kanoset nga fabrikat që prodhojnë me standarde kriminale.
Kur fitimi vihet mbi jetën dhe shëndetin e qytetarëve, atëherë kemi të bëjmë me krim të pastër ushqimor.