
Në një fjalim që do të hyjë në antologjinë e gafave politike, kandidatja e re e Partisë Socialiste në listën e mbyllur për Shkodrën ka dhuruar një “perle” që, në vend të frymëzonte, ka tronditur çdo ndjenjë të qytetarisë shkodrane:
“Edi Rama do të na çojë shumë më lart se ç’e meriton Shqipëria.”
Po, e thatë drejt: më lart se ç’e meriton. Një fjali që, në vend të entuziazmit, ka prodhuar ironinë më të hidhur në rrjetet sociale, mediat dhe – mbi të gjitha – në vetë ndërgjegjen e qytetarëve të Shkodrës, të cilët historikisht kanë qenë pararojë e mendimit të lirë dhe elitës intelektuale shqiptare.
Kur paaftësia shitet si guxim dhe mediokriteti si përfaqësim
Kush është kjo vajzë? Një emër i panjohur për kontribut publik, një figurë pa asnjë zë në debatin shoqëror apo intelektual të vendit. Por me një “fat të madh”: është vajza e një deputeti që ka ndërruar kamp politik më shpesh sesa flamurët e fushatës, duke u bërë me radhë o me Metën, o me Ramën, o me Berishën – si një plaçkë e lirë në tregun politik të Shqipërisë.
Pse duhet ta marrë Shkodra këtë ofendim si “guxim politik”?
A mundet që Shkodra, qyteti i Luigj Gurakuqit, Kolë Idromenos, Migjenit e dhjetëra figurave të ndritura, të përfaqësohet nga një gafaxhie rastësore, që s’e dallon arrogancën nga përulësia dhe që flet për Shqipërinë sikur të ishte një ndëshkim për të jetuar këtu?
“Na ka çuar më lart se ç’e meritojmë…” – po, ju ka çuar me të vërtetë!
Në fakt, kjo fjali është më e sinqerta që ka dalë ndonjëherë nga një kandidat politik i Partisë Socialiste. Pa filtra, pa PR, pa spin: një rrëfim që e pranon në mënyrë brutale që karriera politike, për disa, nuk është meritë por ndihmë, jo përpjekje por trashëgimi, jo shërbim por hipotekim mbi një mbiemër.
Një apel për Shkodrën dhe votuesin shqiptar
Shkodra nuk meriton këtë përfaqësim. Shqipëria nuk meriton që individë të tillë – të paformuar, të paditur dhe të padinjitetshëm – të ulen në karrigen e sovranit.
Nuk është thjesht gafë. Është një fyerje kombëtare e paketuar si karrierë politike. Dhe kur tallja bëhet standard, atëherë mosreagimi bëhet bashkëpunim.
Shkodra ka qenë gjithmonë më lart se çdo qeveri e çastit. Dhe do të vazhdojë të jetë. Por nuk ka asnjë kryeministër që ka të drejtë t’i imponojë një përfaqësim kaq poshtërues.