Përplasje Fizike Mes Komisionerëve Në Lushnjë – Pezullohet Përkohësisht Votimi

0

Tensioni ka kulmuar në një qendër votimi në Lushnjë, ku është raportuar një përplasje fizike mes komisionerëve të Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste. Incidenti ka ndodhur gjatë orëve të paradites, duke detyruar pezullimin e përkohshëm të procesit të votimit dhe ndërhyrjen e menjëhershme të policisë.

Sipas dëshmive të komisionerëve të pranishëm, përplasja nisi pasi anëtari i PD kërkoi mbylljen e kamerave të brendshme, duke akuzuar përfaqësuesin e PS për filmim të votave të qytetarëve. Pas debatit verbal ka pasuar konfrontimi fizik mes anëtarëve të komisionit.

“Në mëngjes kanë ardhur anëtarët bashkë me sekretarin dhe kryetarin, anëtari i PD ka kërkuar të mbyllen kamerat. Në atë moment ka ndodhur përplasja e parë. Më pas u mbyllën kamerat. Ka pasur pretendime nga anëtari i PD se ai i PS po bënte foto,” – ka deklaruar njëri prej komisionerëve.

Ngjarja ka ndërprerë procesin zgjedhor në atë qendër, ndërsa forcat e rendit po marrin dëshmitë dhe dokumentojnë ngjarjen në prani të përfaqësuesve të KQZ-së dhe institucioneve përkatëse.


Zgjedhjet e 11 Majit 2025 po zhvillohen mes akuzave të forta për blerje votash, përdorim të institucioneve shtetërore dhe tensione në disa qarqe. Aktualitet.al po ndjek në kohë reale çdo zhvillim për të sjellë të vërtetën përpara qytetarëve.

Artikulli i mëparshëmRama Dhe Berisha Votojnë – Përballja E Simboleve Politike Në Ditën Vendimtare
Artikulli i radhësSkandal Zgjedhor Në Finiq – PD Denoncon Daljen E Fletëve Të Votimit Jashtë QV-së