
Raporti paraprak i OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 11 majit ka ngritur akuza të forta ndaj qeverisë dhe Partisë Socialiste, duke i konsideruar zgjedhjet të zhvilluara në një klimë thellësisht të politizuar dhe nën ndikim të burimeve shtetërore.
Gjetjet kryesore të raportit:
- PS përdori administratën publike gjatë fushatës dhe ushtroi presion ndaj nëpunësve.
- Kryeministri Edi Rama ka shkelur Kodin Zgjedhor duke falur gjoba 2 ditë para zgjedhjeve – një akt i cilësuar si i paprecedentë nga vëzhguesit.
- Burimet shtetërore u vunë në funksion të fushatës, duke krijuar një avantazh të padrejtë për partinë në pushtet.
- Pronësia e përqendruar e mediave, mungesa e kontrollit të fushatës online dhe autocensura e gazetarëve minuan transparencën dhe pluralizmin.
- Interpretimi i ngushtë i legjislacionit zgjedhor nuk arriti të ndalë praktikat abuzive që cenojnë frymën e ligjit.
Vëzhguesja e OSBE/ODIHR, Farah Karimi, tha se “zgjedhjet ishin konkurruese dhe të organizuara profesionalisht, por u zhvilluan në një klimë të tejpolitizuar me përfitime të pabarabarta për qeverinë.”
Raporti vë në dukje edhe faktin se mangësitë ligjore dhe vendimet e fundit të qeverisë, si falja e gjobave dhe lëvizje të tjera sociale pranë datës së zgjedhjeve, krijuan pasiguri ligjore dhe favorizuan qeverinë aktuale në kundërshtim me parimet e barazisë zgjedhore.
Zbulimet e OSBE/ODIHR pritet të intensifikojnë tensionet politike dhe të ushqejnë kërkesat e opozitës për hetime dhe ndëshkime për manipulimin e procesit zgjedhor.