
Vëzhguesi i OSBE/ODIHR për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, Michael Gahler, ka dhënë një deklaratë të prerë mbi ecurinë e procesit zgjedhor dhe pasojat e tij për integrimin europian të Shqipërisë. Ai theksoi se Shqipëria nuk mund të anëtarësohet në Bashkimin Europian në gjendjen aktuale, duke bërë thirrje për reflektim të thellë dhe veprime konkrete nga të gjitha palët politike.
“Ky vend nuk do të futet në BE kështu siç është sot,” deklaroi Gahler, duke kërkuar që rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe ato që do të vijnë nga Parlamenti Europian të merren seriozisht nga aktorët politikë shqiptarë.
Ai kërkoi konsensus të gjerë mes partive politike për përmirësimin e procesit zgjedhor, duke e konsideruar këtë si një nga hapat thelbësorë drejt anëtarësimit në BE. Gahler u ndal gjithashtu te problematikat e korrupsionit dhe abuzimeve që shkojnë përtej fushës zgjedhore, por që mbeten pengesa kryesore për integrimin europian.
“Ka shumë gjëra që mund të përmirësohen, dhe zgjedhjet janë një ndër më të rëndësishmet. Rekomandoj me forcë që të gjitha palët të tregojnë përgjegjshmëri dhe të veprojnë për të përmirësuar sistemin, përndryshe, rruga drejt BE-së do të mbetet e bllokuar,” përfundoi ai.
Deklarata e Gahler përbën një sinjal të qartë alarmi për klasën politike shqiptare, e cila ndodhet përballë presionit ndërkombëtar për reforma reale dhe zbatim të standardeve demokratike.