
Zyrtarë, Avokatë, Biznesmenë Dhe Emra Të Botës Së Krimit Në Shënjestër – Vijon Operacioni Më I Gjerë Antidrogë
Operacioni i koduar “Ura”, i zhvilluar në bashkëpunim mes autoriteteve të Shqipërisë dhe Italisë, ka prodhuar të tjera masa sigurie ndaj zyrtarëve publikë të përfshirë në rrjete kriminale ndërkombëtare.
Një nga emrat më të fundit ndaj të cilit është vendosur masë sigurie është avokati Armand Tragaj, i cili ka shërbyer më parë edhe si sekretar i Këshillit Bashkiak të Durrësit. Emri i tij del në dritë si pjesë e një strukture që përfshin avokatë, biznesmenë, ish-policë, zyrtarë dhe figura të botës së krimit.
Në total janë lëshuar 52 urdhër-arreste, me kontrolle dhe ndalime në Fier, Vlorë, Durrës dhe qytete të tjera. Deri tani, janë arrestuar tre persona, ndër ta edhe Ligor Çombashi, administrator i një kompanie udhëtimi, si dhe është lëshuar urdhër-arrest për Ervis Doçin, i njohur si “Visi i Pojës”.
Operacioni i përbashkët i BKH-së, Policisë së Shtetit dhe Antimafias italiane, synon çmontimin e një rrjeti të gjerë të trafikut të drogës dhe pastrimit të parave që përfshin struktura të sofistikuara me lidhje në sektorin publik dhe privat.