
Ngjarje Alarmante Në Durrës, RENEA Çaktivizon Pajisjen Shpërthyese Në Kohë
Policia e Durrësit ka publikuar detajet zyrtare në lidhje me ngjarjen e ndodhur më 20 maj 2025, rreth orës 22:30, në lagjen nr. 1, në zonën e njohur si “Veliera”, ku u konstatua një pako e dyshimtë me lëndë plasëse.
Sipas njoftimit të policisë, pakoja përmbante lëndë të dyshuar eksplozive të lidhur me një celular të fiksuar me natriban, duke ngritur dyshime për një mekanizëm shpërthimi në distancë.
Shërbimet e policisë vendosën menjëherë perimetrin e sigurisë, ndërsa njësia e RENEA-s antieksploziv ndërhyri në vendngjarje dhe realizoi çaktivizimin e kontrolluar të pajisjes, duke shmangur një ngjarje të rëndë.
Ngjarja është marrë në shqyrtim nga Grupi Hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, dhe hetimet po vijojnë për identifikimin dhe arrestimin e autorëve.