
Autoritetet ruse kanë ngritur akuza të rënda ndaj Ukrainës, duke pretenduar se është bërë një tentativë për atentat ndaj presidentit Vladimir Putin, ndërsa ai ndodhej në një vizitë pranë zonës së luftës në rajonin e Kurskut.
Sipas gjeneralmajorit Yuri Dashkin të forcave ajrore ruse, sulmet me dronë u intensifikuan pikërisht gjatë kohës që Putini ndodhej në atë zonë, duke e cilësuar si një përpjekje të drejtpërdrejtë për të goditur helikopterin e tij. “Forcat tona të mbrojtjes ajrore kanë rrëzuar 46 dronë gjatë asaj periudhe,” deklaroi ai.
Rajoni i Kurskut, që kufizohet me Ukrainën dhe në disa zona ndodhet nën ndikimin e forcave ukrainase, mbetet një pikë e nxehtë e luftimeve mes dy vendeve. Nga pala ukrainase nuk ka ende asnjë reagim zyrtar lidhur me këto akuza, por tensioni në kufi sa vjen e rritet.
Ngjarja e pretenduar mund të përkeqësojë më tej situatën në front dhe të shtojë përplasjet politike e diplomatike mes Moskës dhe Kievit.