
Një skandal i ri financiar ka shpërthyer në Kamerun, duke vendosur në qendër të kritikave Federatën e Futbollit të Kamerunit (FECAFOOT) dhe presidentin e saj, legjendën e futbollit Samuel Eto’o. Dy agjenci udhëtimi, MEDI VOYAGE SARL dhe MARWAN & MEDI VOYAGES SARL, kanë denoncuar zyrtarisht federatën për mospagimin e një borxhi prej 1.5 miliardë franga CFA (rreth 2.3 milionë euro) të krijuar që nga viti 2023.
Shërbimet E Paguara Nga Shteti, Por Paratë U Zhdukën
Sipas përfaqësuesit ligjor të dy kompanive, avokatit Pierre Robert Fojou, shërbimet konsistonin në furnizim me bileta avioni për ekipet kombëtare, por pavarësisht fakteve dhe një raporti të nënshkruar më 4 shkurt që vërteton vlefshmërinë e kredive, FECAFOOT nuk ka kryer pagesat. Më shqetësuesja është akuza se fondet publike të caktuara për këto shpenzime janë marrë nga federata, por janë përdorur për qëllime të tjera.
Eto Në Qendër Të Përplasjes
Pavarësisht takimeve të shumta, përfshirë edhe një takim më 24 janar 2025 me vetë Samuel Eto’o, asnjë pagesë nuk është bërë. Agjencitë kanë lëshuar fatura për 515 milionë CFA me kërkesë të federatës, të cilat nuk kanë pasur mbështetje faktike. Sipas burimeve kameruniane, negociatat janë mbyllur dhe palët po përgatiten për ndjekje ligjore.
Afat 8 Ditor Para Padisë
“Nëse pagesa nuk realizohet brenda 8 ditëve, do të ndërmerren masa ligjore për kompensim me interesa”, paralajmërojnë kompanitë, ndërsa skandali po godet seriozisht imazhin e Samuel Eto’o dhe vetë futbollin kamerunas, vetëm pak muaj para ndeshjeve ndërkombëtare vendimtare.
Ky zhvillim vjen në një kohë kur Eto është nën presion për reformat e premtuara në FECAFOOT, ndërsa ky borxh i padeklaruar mund të përbëjë edhe shkelje të rëndë ligjore me fondet publike.
Skandali është duke u ndjekur nga mediat më të mëdha në Kamerun dhe Afrika Qendrore, ndërsa analistët e sportit dhe audituesit financiarë po kërkojnë hetim të pavarur për menaxhimin e fondeve në futbollin kamerunas.