Berisha: Unë Dhashë Dorëheqjen Kur Humbja Nuk Ishte Farsë, Të Rinjtë Kanë Pasur Shansin E Vet

0

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka rikthyer vëmendjen tek lidershipi i forcës që ai drejton aktualisht, duke kujtuar momentin kur dha dorëheqjen pas humbjes së zgjedhjeve të vitit 2013, të cilat, sipas tij, nuk ishin farsë siç ndodh sot.

Unë kam menduar dhe e kam bërë realitet atë. Unë e kam bërë realitet,” – deklaroi Berisha, duke iu përgjigjur pyetjes për nevojën që PD t’i hapë rrugë një brezi të ri. Ai theksoi se ky proces tashmë ka ndodhur një herë dhe nuk ka qenë i penguar nga ai.

Kur humba një palë zgjedhje që nuk ishin farsë, unë dhashë dorëheqjen. Dhe një i ri erdhi pas meje. Nuk e zgjodha unë atë, atë e zgjodhi anëtarësia e PD,” – tha Berisha, duke iu referuar Lulzim Bashës. Ai shtoi se e mbështeti Bashën si një anëtar i thjeshtë dhe lojal i partisë.

Megjithatë, ish-kryeministri nuk e mori përsipër përgjegjësinë për dështimin e pasuesit të tij: “Është tjetër problem se çfarë përfaqësimi bëri ai për gjeneratën e vet. Nuk ishte përgjegjësia ime ajo.

Berisha theksoi se kurrë nuk ka besuar te të pazëvendësueshmit dhe se brenda PD-së ka me mijëra individë me potencial për të udhëhequr. Ai vlerësoi hapin që kishte bërë në të kaluarën si një veprim të drejtë dhe të qëllimshëm për të dhënë një shans brezit të ri.

Unë nuk udhëhiqem nga paragjykimi. Mendova se një gjeneratë e re do ishte një shans i madh për forcën politike,” – deklaroi ai.

Kjo deklaratë vjen në një moment kritik për Partinë Demokratike, pas rezultatit të dobët në zgjedhjet e fundit dhe thirrjeve në rritje për një reformim të thellë të partisë dhe drejtuesve të saj.

Artikulli i mëparshëmArrestohet Në Dubai Kreu Shqiptar I Trafikut Të Drogës Në Ekuador – Dritan Gjika Në Pranga Për Ekstradim
Artikulli i radhësSPAK Kontrollon Banesën E Luan Duzhës Pas Zgjedhjeve, Sekuestrohen Para Dhe Telefona